Tematike

“Të huajt të vendosin: për pasaportën zvicerane ose për atë të vendit të tyre”

Politikani i SVP-së, Erich Hess kërkon që të huajve të natyralizuar që e mbajnë edhe shtetësinë e prejardhjes t`u merret pasaporta zvicerane

Politikani i SVP-së, Erich Hess ka bërë bujë në opinion me propozimin e tij që të huajve të natyralizuar që e mbajnë edhe shtetësinë e prejardhjes t`u merret pasaporta zvicerane. Ky propozim ka ardhur në kuadrin e fushatës që SVP po e bën kundër natyralizimit të lehtësuar të gjeneratës së tretë shkruan 20,minuten.ch. Politikani në fjalë e kundërshton iniciativën e natyralizimit edhe me argumentin se ajo parasheh që të natyralizuarit mund të mbajnë edhe më tutje pasaportën e vendit të prejardhjes.

Por politikanët e majtë dhe ekspertët e kundërshtojnë këtë qasje, transmeton albinfo.ch. Si argument për qëndrimin e tij Hess përdor arsyetimin se “një i huaj i natyralizuar i cili vazhdon ta mbajë pasaportën e vjetër, nuk dihet kurrë se a është plotësisht “pro Zvicrës” ose jo. Secili duhet të përcaktohet për pasaportën e vendit për të cilin “i rrah zemra”. Kush dëshiron të natyralizohet duhet të identifikohet në tërësi me Zvicrën. Nëse vihet në fuqi detyrimi i përcaktimit, atëherë do të natyralizohen vetëm njerëzit e integruar mirë. Nga ana tjetër, ata që kanë dy shtetësi mund të votojnë edhe në vendin e prejardhjes, të vendosen me banim atje dhe të punojnë ose të marrin ndihma sociale. Ndërsa si zviceranë  nuk e keni këtë mundësi. Dhe kështu `terzo`-t (brezi i tretë) fitojnë më shumë të drejta se zviceranët autoktonë, përcjell albinfo.ch. Atyre kështu u mundësohet edhe abuzimi me ndihmat sociale në Zvicër dhe për këtë arsye duhet t`ua mohojmë këtë mundësi”, ka shkruar Hess në një kërkesë parlamentare të mbështetur edhe nga deputetë tjerë të SVP-së.

Por, krejtësisht ndryshe mendon e majta. Deputeti i njohur nga SP-ja, Cedric Wermuth thotë: “Kjo është thjesht një bërje fushatë kundër të natyralizuarve në prag të referendumi. Në fakt dyshtetësia nuk ka fare të bëjë me iniciativën. Ndërsa argumentimi se duhet të përcaktohesh për njërin shtet, është absurd. Ka njerëz që ndjehen të lidhur me disa shtete dhe kjo nuk i bën ata zviceranë më të këqij”, thotë Wermuth, transmeton albinfo.ch deklarimin e politikanit socialdemokrat.

Ai e kundërshton edhe idenë se të natyralizuarit fitojnë më shumë të drejta se sa vendësit. “Edhe si zviceranë kemi mundësinë të migrojmë në shumë vende të ndryshme, të natyralizohemi atje dhe ta mbajmë sërish edhe pasaportën zvicerane. Prandaj, zviceranët autoktonë duke pasur edhe ata të drejtën për dyshtetësi nuk kalojnë më keq se të huajt e natyralizuar. Duke argumentuar se të huajt e natyralizuar i bëjnë mirë Zvicrës Wermuth ka theksuar se ata që kanë dyshtetësi marrin rolin e ambasadorëve të Zvicrës, përcjell albinfo.ch. “Pikërisht te migrantët e tashëm ballkanikë mund të shihet se sa shumë propagandojnë në vendet e tyre të prejardhjes për një imazh të mirë të Zvicrës”.

Edhe eksperti i njohur për migracion Gianni D`Ammtao nga Universiteti i Neuchatel-it është kundër detyrimit për të vendosur për mbajtjen e një pasaporte. “Në atë rast, të natyralizuarit do të detyroheshin që një pjesë të identitetit të tyre dhe historinë e paraardhësve ta dorëzojnë `Si një kuti këpucësh. Dhe kjo do të ishte për shumëkënd, turpëruese. Hulumtimet kanë treguar se janë në radhë të parë të huajt e arsimuar ata që e kërkojnë pasaportën zvicerane, ndërkohë që ata më pak të arsimuar, i konsiderojnë testet më shumë si maltretim.