Integrimi

Të jesh mësues-e do të thotë të mos ndalesh kurrë së mësuari

Mësuesja Fitore Ajdini flet për albinfo.ch lidhur me motivet e zgjedhjes së profesionit të saj, rrugëtimin profesional, raportet me familjen, gjuhën e origjinës etj.

Fitore Ajdini punon si mësuese në një shkollë në Gjenevë. E rritur bashkë me dy vëllezërit dhe motrën, nën përkujdesjen e nënës së saj, ajo filloi që herët ta gëzojë atë me suksese dhe duke marrë përgjegjësi serioze qysh në moshë të re.

Pyetjes së albinfo.ch rreth zgjedhjes së profesionit të mësimdhënëses, Fitorja që tashmë ka disa vite përvojë profesionale i jep këtë përgjigje: Ideja që të ushtroj profesionin tim në një rreth ku dituria dhe kultura kanë rëndësi të çmimit më të lartë në botë ishte motivi im i parë. Duke i mësuar të tjerët ne mësojmë jashtëzakonisht tërë kohën. Gjithashtu e dua edhe kontaktin me më të rinjtë që janë shpeshherë edhe tërheqës.

Këtë e dëshmoj edhe me faktin që, prej kur kam kryer formacionin praktik në Cayla menjëherë kam filluar të punoj e rregullt në këtë institucion dhe tani jam edhe përgjegjëse klase. Gjatë kohës së studimeve kam punuar këshilltare në shitje, kam kryer punë administrative në një bankë dhe organizma të tjerë ku shpeshherë më angazhonin edhe në korrigjimin e gjuhës frënge mirëpo dëshira që të jem mësuese gjithmonë ka mbetur e paluhatur.
Gjatë rrugëtimit shkollor, jeni ndjerë ndonjëherë e diskriminuar për shkak të origjinës suaj?

Personalisht, gjatë shkollimit e formimit tim profesional nuk mund të them se kam vuajtur nga ndonjë formë diskriminimi. Më ka ndodhur të dëgjoj vërejtje që më janë drejtuar, më shumë të natyrës ksenofobe, që synonin komunitetin shqiptar por nuk ishin këto vërejtje që mund të më bëheshin pengesë as në shkollimin tim as në angazhimin tim në punë. Gjithmonë jam ndjerë e barabartë me të tjerët dhe me mundësi të njëjta. Origjina ime shqiptare absolutisht as sot nuk është një e metë.

Rreth përshtypjeve të saj në raport me dallimet që mund të ekzistojnë gjatë shkollimit të fëmijëve me origjinë të ndryshme apo mjedis të ndryshëm social Fitorja për albinfo.ch shprehet: “Nxënësit që vijnë nga mjedise të varfra sociale patjetër që kanë edhe vështirësi më të mëdha për dallim nga të tjerët që vijnë nga mjedise prindërit e të cilëve kanë nivele universitare. Këtë e dëshmojnë edhe statistika të ndryshme. Gjithashtu është e rëndësishme të ceket se edhe shembujt janë të rëndësishëm në shkollimin e një fëmije. Shembujt që ndikojnë tek ata, më të parët janë prindërit, pastaj motrat e vëllezërit e tyre më të rritur me qëndrimin e tyre karshi rëndësisë së shkollimit. Ata që infuencojnë fëmijët janë pra shembujt e parë që ai ka në shtëpi.

Shumica e prindërve me origjinë të ndryshme që jetojnë sot në Gjenevë nuk kanë pasur mundësitë të kryejnë studime ngase kanë pasur një jetë të vështirë dhe të varfër. Ka disa prindër që më flasin se çfarë kanë përjetuar në jetën e tyre. Rrëfimet e tyre janë prekëse sepse ata, shpesh edhe sot, kanë një punë të vështirë fizike e që paguhet pak. Pos këtyre prindërve kemi edhe të tillë që ikin nga lufta ashtu siç ka ndodhur edhe me ne shqiptarët të cilët vijnë në Zvicër për t’ju ofruar ardhmëri më të mirë fëmijëve të tyre. Të gjithë kësaj mandej mund t’i shtojmë edhe përgjegjësitë e rënda që shpeshherë kanë fëmijët për arsye të kontekstit të ngarkuar në familjen e tyre gjë që nuk është pra për t’u habitur pse ata kanë më shumë vështirësi se të tjerët.  Pastaj edhe gjuha frënge e folur në shtëpi që nuk zotërohet sa duhet është një faktor që nuk lehtëson pasurimin me shprehje të reja në frëngjisht. Megjithatë, kjo nuk është pengesë  që s’mund të tejkalohet. Të flasësh shumë gjuhë është vërtetë një aftësi që mundëson më lehtë mësimin e gjuhëve të tjera.

Sa e njihni dhe e praktikoni ju gjuhën shqipe dhe meqë keni kompetenca pedagogjike a keni njohuri të mjaftueshme që të mund ta ushtroni profesionin e juaj edhe në shqip?

Në familje flas shqip e me të gjithë ata që kanë vështirësi të shprehen në frëngjisht, që do të thotë se nuk kam asnjë problem në komunikim gojor. Kam ndjekur po ashtu kurset e gjuhës shqipe në fillore dy tri vite por ajo kohë nuk më kujtohet shumë. E kam të vështirë të shkruaj në gjuhën letrare në mungesë të studimeve në gjuhën shqipe prandaj them “jo”, nuk mundem të praktikoj mësimdhënien në gjuhën shqipe. Sidoqoftë, të njohësh një gjuhë nuk do të thotë se do të mund edhe t’ua mësosh atë të tjerëve.

Cilat janë raportet tuaja me prindërit shqiptarë, lidhjet e juaja me aktivitetet shqiptare ?
Është interesante dhe shpeshherë edhe të bëjnë të qeshësh reagimet e nxënësve kur kuptojnë se edhe unë jam pjesë e përkatësisë së tyre kulturore. Ndodhë të më pyesin që të them ndonjë fjalë në shqip në shenjë vërtetimi të origjinës sime. Ndodhë që nganjëherë të kemi përshtypjen se kuptohemi mirë mes vete dhe nuk ngurroj të ju them se unë i njoh vështirësitë e tyre, veçanërisht faktin pse prindërit e tyre nuk e flasin mirë gjuhën frënge, pa i gjykuar ata.

Nuk kam pasur asnjëherë vështrim negativ pikërisht pra për faktin se unë e njoh kontekstin e tyre familjar dhe ndaj të njëjtat referenca kulturore me ata. Nxënësit e dinë se nuk do të mund “të anashkalohen” e t’u ikin obligimeve të tyre kur më duhet t’i ftoj prindërit e tyre me të cilët komunikoj shumë thjeshtë e pa pasur nevojë për përkthyes.

E gjithë kjo, në raste të caktuara, me të vërtetë lehtëson punën time. Gjatë mbledhjeve me prindër ka prej atyre që vijnë më me vullnet para kohës së caktuar apo qëndrojnë më gjatë pas saj me qëllim që të komunikojnë sa më qartë me mua.

Pos kësaj shpeshherë bëj shërbimin e përkthyesit edhe për kolegë të mi të cilët kanë nxënës që prindërit e tyre nuk e flasin gjuhën frënge e kjo pra lehtëson procedurën për profesorët dhe përfaqësuesit legalë të nxënësve. Në fakt, jo vetëm që njoh sistemin shkollor dhe normat e promovimit të tij por më ndodhë shpeshherë të njoh rrugëtimin e nxënësit apo personalisht të njihem me prindërit e tyre. Kjo krijon marrëdhënie besimi dhe vetvetiu komunikimi kalon më lehtë.

Sa u përket lidhjeve me aktivitet shqiptare, Fitorja tregon që kur ishte filloriste këndonte në një grup shqiptar dhe paraqiteshin në ngjarje të ndryshme festive në lidhje me kulturën shqiptare. Veçanërisht ajo ka ndjekur shpesh kurset e vallëzimit në grupin e të rinjve të “Rinia Contakt” kur ishte pjesë e Universitetit Popullor Shqiptar ku shumë prej shokëve e shoqeve të saj ndiqnin kurset e rregullta në vallëzim. Momentalisht, Fitorja thotë se i përkushtohet punës së saj ku është e angazhuar 100% dhe nuk i mjafton koha për aktivitete të lira shqiptare.

Çfarë u propozoni ju prindërve shqiptarë që fëmijët e tyre të jenë sa më të suksesshëm në shkollimin e tyre?

Duhet ditur se strukturat shkollore gjenevase organizojnë ndihmë shkollore në disiplina të ndryshme për të ndihmuar nxënësit jashtë orarit të obliguar shkollor e që prindërit duhet më shumë t’i nxisin fëmijët e tyre që ata t’i ndjekin kurset e organizuara pikërisht për të ndihmuar ata kur kanë ndonjë vështirësi. Po ashtu, i mbështes edhe prindërit të ju rrëfejnë fëmijëve të tyre çfarë kanë përjetuar në jetën e tyre me qëllim që fëmijët të njoftohen dhe të kuptojnë fatin që ata kanë që të shkollohen në sistemin shkollor zviceran. Rrëfimet e prindërve shumë shpesh luajnë një rol tejet të rëndësishëm tek fëmijët. Por, mbi të gjitha, suksesi në shkollim varet nga disiplina e çdonjërit që ai ia vë vetes për të punuar. Ajo çka unë këshilloj është vetëm një periudhë që iu mundëson atyre ngritjen e vetëdijes për t’ia arritur qëllimin e dëshiruar.
Çka pëlqeni në profesionin e juaj dhe cilat janë vështirësitë e tij? 
Ndër vështirësitë e profesionit të saj Fitorja i veçon ato të rendit disiplinor, kryesisht tek nxënësit që mund të disfunksionojnë në klasë. Mandej ajo thekson peshën e punëve administrative siç është p.sh. procedura e zëvendësimit. Në fakt pra, edhe po qe se je në pushim mjekësor, duhet t’i jepen udhëzime me gojë dhe me shkrim mësimdhënësit që të zëvendëson pa marrë parasysh gjendjen shëndetësore. Privilegjet apo pikat e forta te punës sime janë më të shumta thotë Fitorja. Në këtë profesion jemi përherë në një univers studimi, pra, përherë në lidhje me diturinë. Unë mësoj po ashtu nga nxënësit e mi që vijnë nga regjione të ndryshme. Të jesh mësimdhënës do të thotë që asnjëherë nuk ndalesh së mësuari sepse lexojmë, përgatisim privime, sekuenca … Shtjellojmë tema të ndryshme gjatë leximit dhe ballafaqojmë ide. Edhe pse gjithçka nuk është e lehtë me disa mosha të nxënësve, kam ndërrime që pasurojnë, interesante dhe të këndshme. Ajo që më bën të ndjehem e shpërblyer, është kontakti me të rinjtë dhe mundësia që transmetojmë diturinë tek ata. Andaj tani për tani nuk besoj se mund të ndërroj një ditë as profesionin që kam.
Cila është porosia e juaj?

Fëmijëve dhe prindërve shqiptarë do të ju thosha që gjuhën dhe kulturën e tyre ta marrin si një forcë. Të njohësh dhe të bësh të ta njohin origjinën që ke, është tejet e dobishme në formimin e identitetit dhe zhvillimit personal të çdonjërit prej nesh. Gjuha shqipe me karakteristikat e saj të veçanta dhe e lashtë le të ruhet duke u përpjekur që atë ta praktikojmë sa më rregullisht që është e mundur.

 

Jetëshkrim

  • 33 vjeçare, e lindur në Kumanovë, Maqedoni
  • Nga viti 1989 jeton në Gjenevë
  • Shkollimin fillor e të mesëm (kolegj 2004) në Gjenevë
  •  2009 Bachelor në Fakultetin e gjuhëve: historia e religjioneve dhe literarura franceze
  • 2011  Master në letërsi
  • 2012 angazhohet në mësimdhënien e gjuhës frënge në Ciklin e orintimeve Cayla
  • 2011 Studime ne Institutin universitar të formimit të mësimdhënësve ( IUFE)
  • 2012 Didaktika e frëngjishtes në zotërimin universitar disiplinor për shkollimin e mesëm  (MASE 2)

Fotot: Jeton Haziri

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriFitore Ajdini
  • Prejardhja:Kumanovë, Maqedoni
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Mësuese