Zhvillim

Të rejat nga Kosova në trajnim për kujdestare të pleqve në Gjermani

Djellza Hajdari dhe Qëndresa Bytyqaj, e kanë kaluar procedurën e pranimit në shkollën e aftësimit për punë në shtëpitë e pleqve

Fondacioni “Martin-Haug” në qytetin Freudenstadt merr pjesë në një program të organizatës humanitare të Djakonisë, Württemberg, që u mundëson të rinjve nga Kosova një kualifikim në profesionin e kujdesit për pleq në Gjermani.

Djellza Hajdari dhe Qëndresa Bytyqaj, gjatë hospitimit të tyre marrin përvoja rreth punës së një kujdestareje për të moshuarit në Gjermani, ato tashmë e kanë kaluar edhe procedurën e pranimit në shkollën e aftësimit për punë në shtëpitë e pleqve. Pyetjes së gazetës Schwarzwalderbote.de rreth përshtypjeve të para, ato i përgjigjen pozitivisht. “Të gjithë janë shumë miqësorë, na pëlqen shumë”, thonë ato.

Nisur nga mungesa e profesionistëve në këtë fushë në Gjermani dhe shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë, kjo mund të konsiderohet shans për të dyja palët, transmeton albinfo.ch. Që në vitin e kaluar, në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës ishin zhvilluar biseda përzgjedhjeje të aplikuesve për këtë trajnim. Johannes Miller, drejtor në Martin-Haug-Stift ka qenë anëtar i delegacionit gjerman atje. “Kemi parë aplikuese dhe aplikues jashtëzakonisht të motivuar” thonë ai.

Djellza dhe Qëndresa bëjnë pjesë në mesin e gjithsej 53 konkurruesve të suksesshëm të cilëve tash u ofrohet një vend për kualifikim, trajnim në Baden Württemberg. Pas kurseve intensive të gjermanishtes, pjesëmarrësit kosovarë të projektit kanë ardhur pak më parë në Gjermani që të përgatiten për trajnim.

Pritja që u është bërë në Aeroportin e Shtutgartit flet për rëndësinë e projektit, transmeton albinfo.ch. Besnik Miftaraj, konsull i Republikës së Kosovës, Johannes Flothow, përgjegjës për Evropën Lindore në Shoqatën Humanitare të Diakonisë së Württembergut si dhe Besa Miftari dhe Flokart Xhafa, përfaqësues të organizatës simotër nga Kosova APPK kanë përshëndetur të porsaardhurit.

Pas hospitimit, Djellza dhe Qëndresa kthehen në Kosovë, prej nga në shtator vijnë sërish për të filluar trajnimin.

Ky program ka filluar në vitin 2014 si projekt model, i cili u mundëson të rinjve një perspektivë profesionale në mënyrë legale dhe përmes migrimit të përgatitur mirë. Ndërsa për bartësit e projektit pjesëmarrja përbën një mundësi të mirë për të siguruar personelin e nevojshëm.