Shëndetësi

Teknologjia shkakton mungesë të gjumit dhe trashësi te fëmijët

"Teknologjia para gjumit është e lidhur me gjumë më të shkurtër dhe me trashësi më të lartë. Po ashtu kemi gjetur lidhje se lodhja e mëngjesit është rrezik tjetër i madh për trashësi”

Një studim i ri ka treguar se shikimi i fëmijëve në ekrane para gjumit u shkakton probleme të shumta atyre.

Nuk është hera e parë që shkencëtarët kanë ngritur lartë flamujt e rrezikut për fëmijët që përdorin pajisje elektrike para gjumit. Një muaj më parë, u gjet lidhje mes mungesës së gjumit dhe shikimit të televizorëve apo telefonave të mençur te fëmijët.

Tani këtë studim e përkrah një tjetër i ri që e ka lidhur shikimin e ekraneve digjitale te fëmijët edhe me peshën e tyre. Sipas studimit të kryer nga “Penn State College of Medicine” në Pensilvania të SHBA-së, shikimi i gjatë në ekrane digjitale shpien në gjumë më të keq dhe në probleme në ushqime, transmeton Albinfo.ch.

“Kemi gjetur se teknologjia para gjumit është e lidhur me gjumë më të shkurtër dhe me trashësi më të lartë. Po ashtu kemi gjetur lidhje se lodhja e mëngjesit është rrezik tjetër i madh për trashësi”, ka thënë Caitlyn  Fuller, pjesë e ekipit të studimit.

Hulumtuesit kanë pyetur prindërit e 234 fëmijëve mes moshave 8 dhe 17 për gjumin e fëmijëve të tyre dhe teknologjinë e përdorur para gjumit.

Ekipi gjeti se fëmijët që kanë kaluar më shumë kohë para TV-së apo duke luajtur video-lojëra kanë fjetur së paku 30 minuta më pak se të tjerët që s’kanë shikuar shumë televizorë.

Ata që kanë shikuar telefonat e mençur i kanë edhe më keq punët. Ata humbin një orë të plotë gjumë.