Lajme

Tensione në Maqedoni, fillojnë arrestimet

Policia e Maqedonisë ka bastisur shtëpinë e vëllezërve Rexhepi, ku edhe ka arrestuar invalidin e lutës, Rexhep Rexhepin dhe dy vëllezërit e tij

Pas rastit të Goshincës, ku u raportua për sulm ndaj një pike kontrolli të Policisë, situata në Maqedoni vazhdon të mbetet e tendosur. Policia e Maqedonisë është zhvendosur në rajonin e Kumanovës, ndërsa mbrëma ka bastisur shtëpinë e vëllezërve Rexhepi, ku edhe ka arrestuar tre vëllezërit në mesin e tyre edhe Rexhep Rexhepin.

Ky i fundit i njohur me nofkën “ Çiçavica” ka qenë ish-luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe para saj në Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka qenë edhe invalid i luftës, ndërsa në MPB të Maqedonisë nuk janë dhënë detaje nëse Rexhepi ka lidhje me grupet e armatosura në Goshincë të Likovës.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy vëllezërit e tij. Mirpo sot në mëngjes mediet raportojnë se Shefki Rexhepi i cili është inspektor i policisë është liruar nga arresti. Familjarët e të arrestuarve thonë për Alsat-M, se gjatë bastisjes policia nuk ka gjetur asgjë në shtëpinë e të arrestuarve.