Bota

Terrorizmi, në nivel rekord

Raportohet për nivel rekord të terrorizmit në botë, që i ka kushtuar vitin e kaluar ekonomisë botërore 14.3 trilionë dollarë.

Indeksi mbi Paqen në Botë tregon se gjatë dekadës së fundit kushtet për paqe po përkeqësohen, nxitur kryesisht prej terrorizmit dhe konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Sipas raportit, kjo ka ndërprerë procesin e masave përmirësuese afatgjata që bota kishte ndërmarrë prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Numri vjetor i ngjarjeve me sfond terrorizmi pothuajse është trefishuar që nga viti 2011.

Vdekjet nga terrorizmi janë rritur me më shumë se 900 për qind që nga viti 2007 në të 35 vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Gjatë vitit të kaluar, në 23 prej tyre, përfshirë Danimarkën, Suedinë, Francën dhe Turqinë, u shënuan vdekje të lidhura me terrorizmin.