Kosova

Thaçi dekoron Haradinajn e Veselin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj me medaljen jubilare në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Këto medalje u jepen personaliteteve që kanë pasur rol në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe në periudhën e shtetndërtimit, përcjell albinfo.ch.

Për dallim nga shumë që i kanë refuzuar këto medalje, Veseli dhe Haradinaj i kanë pranuar ato.

Ndërkohë, Thaçi ka dekoruar edhe ish-shefin e UNMIK-ut, Bernard Kushner. “Me shumë sakrificë, ndërtuam institucionet mbi rrënojat e luftës, krijuam parakushte për rimëkëmbje dhe menaxhuam situatën e sigurisë. Sot, 19 vjet më vonë, u pajtuam që shtetndërtimi ishte i suksesshëm, derisa të ardhmen duhet ta ndërtojmë mbi bazën e sukseseve të së kaluarës. Për këtë kontribut, mikun tim dhe të Kosovës, Bernard Kushner e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë”, ka shkruar Thaçi në rrjetet sociale.