Kosova

Thaçi dhe Haradinaj presin lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur lajm të gëzueshëm ratifikimin e demarkacionit sot në Kuvendin e Kosovës.

“Falënderoj të gjithë deputetët të cilët e kanë votuar demarkacionin. Kanë hapur rrugën e sigurt që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtën e tyre për lëvizje të lirë me shtetet e BE-së”, tha Thaçi për Klan Kosovën.

“Lajm jashtëzakonisht i gëzueshëm për politikën, për institucionet, për qytetarët dhe për faktorët ndërkombëtarë. Ka qenë një humbje kohe trevjeçare, por më në fund arritëm objektivat që i kemi pasur para nesh”, përcjell albinfo.ch.

“Është hapur rruga e sigurt dhe gjatë këtij viti qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova tani pret që Bashkimi Evropian të mbajë premtimin për liberalizim të vizave.

Ai është shprehur mirënjohës për 80 deputetët që votua pro kësaj marrëveshjeje.

“Kuvendi i Kosovës me sukses ratifikoi Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Mirënjohës për të gjithë deputetët që votuan pro, si dhe për durimin dhe mirëkuptimin e popullit të Kosovës. E përkushtuar në krijimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në rend e ligj, Kosova tani pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, ashtu siç u premtua, që më në fund qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.