Kosova

Thaçi: Mali i Zi shërben si frymëzim për tërë rajonin

Presidenti kosovar ka thënë se kjo është një kohë dhe mundësi për udhëheqësit e Evropës që të marrin përgjegjësinë dhe për të mos ndjekur politikat reaguese për përfitime afatshkurtra

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në Forumin e Sigurisë në Budvë, ka thënë se tash është koha për anëtarësimin e tërë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Thaçi, bashkë me homologun e tij, Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ishin ndër folësit kryesorë të këtij forumi.

Presidenti kosovar ka thënë se kjo është një kohë dhe mundësi për udhëheqësit e Evropës që të marrin përgjegjësinë dhe për të mos ndjekur politikat reaguese për përfitime afatshkurtra. “Pra të shohim se çfarë është e mirë për Evropën në një afat të gjatë. Është e qartë se përgjigjja është një BE e zgjeruar që përfshin Ballkanin Perëndimor në tërësi”, ka thënë ai.

Duke folur për perspektivën euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, presidenti Thaçi ka thënë se Mali i Zi shërben si frymëzim për tërë rajonin, duke mos u ndalur kurrë në angazhimin për integrime euroatlantike.

Në fund, Presidenti Thaçi ka pohuar se konstatimi në këtë forum ishte se shtyllat e Bashkimit Evropian po tronditen, së pari nga kriza ekonomike, pastaj nga kriza e migracionit dhe tani nga Brexiti.