Kosova

Thaçi: Me Presidentin Rugova bindëm botën për drejtësinë e kauzës sonë

Me rastin e Ditës së Presidentit, në Muzeun e Kosovës është hapur ekspozita historike me titull “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës”

Presidenti Hashim Thaçi ka dekoruar presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Medaljen presidenti Thaçi ia ka dorëzuar bashkëshortes së ish-presidentit, Fanë Rugova.

Me rastin e Ditës së Presidentit, në Muzeun e Kosovës është hapur ekspozita historike me titull “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës”. Besnik Rraci dhe Sadik Krasniqi kanë sjellë për herë të parë në Kosovë një koleksion me mbi 70 eksponante, 500 fotografi, dokumente e gazeta të kohës që flasin për ish-presidentin.

Me këtë rast, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se kushdo që e viziton këtë ekspozitë mund të bëjë kthim në kohë, të viteve të rënda dhe tragjike të vendit. Ai deklaroi se sot çdo parti dhe lider politik duhet të shikojë të ardhmen e Kosovës.