Kosova

Thaçi: Takimi nuk ishte i lehtë, duhet të gjejmë zgjidhje në interes edhe të Kosovës edhe Serbisë

Presidenti Hashim Thaçi doli në konferencë për media pas takimit të mbajtur në Bruksel së bashku me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq

Presidenti Hashim Thaçi, pas takimit mes tij dhe Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe Frederika Mogherini, doli në konferencë para gazetarëve ku tha se takimi nuk ishte i lehtë por se duhet shikuar të gjindet zgjidhje e mirë e cila është në interes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Albinfo.ch.

“Jemi dakorduar që procesi të merr një dinamik të intensifikohet në javet e ardhshme. Gjithashtu kemi arritur në konkludim që marrëveshja për normalizim është në interes të dy vendeve për paqe në rajon.  Arritjen e një marrëveshje fituese për të dy palët e kjo zgjidhje është në bazë të kritereve të BE-së”, tha Thaçi.

Ai tha edhe se “Sot kemi diskutuar se si të arrijmë një kornizë të përgjithshme të kësaj marrëveshjeje e cila do të jetë e pranueshme edhe për popullin e Kosovës dhe Serbisë dhe njerëzit do të shikojnë nga e ardhmja europiane e jo nga e kaluara konfliktuoze. Mbesë  me shprese se do të punojmë në mënyrë progresive për të arritur marrëveshjen por edhe nëse nuk arrihet ne duhet të punojmë për paqe e sovranitet jo për të provokuar njërin- tjetrin”.

Thaçi ka thënë se nëse humbet kjo marrëveshje edhe Kosova edhe Serbia do të paguajnë shtrenjtë.

“Jam i vetëdijshëm se pa një marrëveshje, Kosova nuk mund të ralizoj objektivën e saj për tu bashkuar në NATO por sikurse edhe Serbia që nuk mund të lëviz lirshëm pa pasur një raport të mirë fqinjësie me Kosovën”, tha ai.

Sipas Thaçit nuk është patriotizëm të vajtohet e kaluara por të arrihet marrëveshje për paqe dhe pajtim.