Sport

“Thaibox” në Zvicër hobi, por jo profesion

Shumë të rinj në Zvicër ëndërrojnë që një ditë të bëhen të famshëm si idolët e tyre, Bruce Lee ose Van Dame. Për këtë qysh në moshën e re nisin të merren me thaibox.

Edhe pse janë të vetëdijshëm se me këtë vështirë të arrihet diçka, motivi i fortë ata nuk i lë të ndalen. Shembull më i mirë për të është 27-vjeçari Mustafë Kica, i cili merret me thaibox që nga mosha 13-vjeçare. Ai është tri herë kampion i Zvicrës në WFC dhe një herë kampion i botës në IKBO, por thotë se ky nuk është profesion për vendin ku ai jeton, por vetëm hobi, ngase në këtë sport ata paguhen shumë pak.

“Të rinjtë në Zvicër duhet të merren vetëm për qejf me thaibox, e jo për të menduar se me këtë do të arrijnë diçka të madhe, kjo vlen në veçanti për shqiptarët, të cilët edhe në këtë sport diskriminohen”, pohon Kica.

Tregon se nga 30 luftëra sa ka pasur, vetëm dy i ka humbur dhe atë me pikë. Por, shton se ka ndodhur që kundërshtarët që ai i ka rrahur të përfaqësojnë shtetin e Zvicrës në vende të ndryshme dhe në organizime institucionale. Kica thekson se ai me më dëshirë do të përfaqësonte Kosovën, por pamundësia për të jetuar atje e ka lënë atë pa përfaqësuese, nga se edhe Zvicrën nuk mund ta përfaqësojë për shkak se nuk ka pasaportë zvicerane.

“Kam 14 vjet që merrem me thaibox. Kur kam ardhur në Zvicër, si 13-vjeçar, kam filluar të merrem me thaibox, mandej e kam pasur një pauzë të vogël, por më 2005 kam filluar prapë të merrem më thaibox. Në vitin 2009 kam fituar tre tituj, kampion i botës i dhe Zvicrës, njëri është gjysmëprofesioniste. Mua më kanë shtyrë të merrem me këtë filmat e Bruce Lee-së dhe të Van Dam-it. Ata kanë qenë motiv për mua.

Në Zvicër nuk mund të jetosh nga thaibox-i, ngase nuk paguhesh mirë, përveç nëse dëshiron të kesh meçe çdo muaj, që është shumë e rrezikshme”, thotë Mustafë Kica, i cili më 2 prill do të garojë për kampion bote, por që ende nuk e di kundërshtarin e tij. Kica përveç që merret me thaibox, ka hapur edhe një klub, ku ushtron të rinjtë, por edhe thotë se punon 100 % për veten dhe familjen.

Një shembull tjetër, i cili merret me thaibox dhe nuk fiton as për ta mbajtur vetveten është edhe 22-vjeçari Bashkim Selmani,  i cili ka nisur së pari me karate, e më pas me thaibox. I vetëdijshëm se me këtë sport nuk mund të jetoj, dëshira për të qenë i suksesshëm nuk e lë të ndalet. “Kam 36 meçe, 7 humbje dhe 29 fitore. Garoj deri në 70 kg në WFC, ku një herë kam fituar rripin superfi champion, ose më mirë të them, jam shpallur kampion i Zvicrës në kategorinë time. 

Unë tash garoj si profesionist dhe kam garuar edhe jashtë Zvicrës, si në Çeki, Gjermani, Bosnjë, etj. Në të gjitha garat përfaqësohem si shqiptar. Më dy prill do të garoj me një shqiptar, Burim Aliun, për kampionin e Zvicrës në kategorinë WFC. Zakonisht ne për një meç fitojmë nga 500 deri në 1 mijë franga, që janë shumë pak dhe nuk mund të jetojmë me ato që përfitojmë”, thotë Bashkimi.  Ata falënderojnë “Albinfo.ch” për mundësinë që iu ka dhënë dhe ftojnë institucionet, e në veçanti thaiboxsert e njohur, si Azem Maksutaj, që t’u ndihmojë atyre në karrierë, qoftë edhe me këshilla.