Lajme

Thethi, atraksion për vendorët dhe të huajt

Turistë nga Gjermania, Anglia, Polonia e Holanda kanë mbetur të mahnitur me bukuritë e Thethit. Madje, 70 % të turistëve që vizitojnë Thethin, janë të huaj

Njëri nga vendet më atraktive për këtë sezon turistik në Shqipëri është Lugina e Thethit. Ky vend është shndërruar në atraksion për vendorët dhe të huajt, raporton albinfo.ch.

 

Turistë nga Gjermania, Anglia e Holanda kanë mbetur të mahnitur me bukuritë e Thethit. Madje, 70 % të turistëve janë të huaj që vizitojnë Thethin.

 

25 euro kushton një natë në bujtinë, që përfshin fjetjen, mëngjesin e darkën. Thethi ka numëruar në vitin 2015 më shumë se 16 mijë turistë, me të ardhura të përllogaritura prej më shumë se 350 mijë eurosh. Turistët janë rritur në vitin 2016 e 2017.

 

Thethi është një fshat në komunën Shalë në rrethin e Shkodrës të Shqipërisë. Fshati ndodhet më në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve me një bukuri të radhë, në Veri të Shqipërisë. Shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

 

Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, speleologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, te të cilët kjo zonë lë mbresa të pashlyeshme. Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë.

 

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

 

Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.