Shkurt.ch

Thurgau: Niveli B2 i gjermanishtes, kusht për pasaportën zvicerame

Ligji federal kërkon që shkalla e zotërimit të gjermanishtes me gojë të jetë B1. Ndërsa në Kantonin Thurgau kjo tash e tutje do të jetë B2 me gojë dhe B1 me shkrim

Parlamenti i Kantonit Thurgau përfundimisht ka vendosur për ashpërsimin e Ligjit mbi Natyralizimin e të huajve. Vendimi kësaj here ka qenë me diferencë më të madhe votash se sa në në leximin e parë, që ishte bërë në tetor, siç ka shkruar edhe albinfo.ch. Atëbotë në parlament kishte pasur vetëm një votë më tepër në favor të ashpërsimit, ndërsa tash, pro kanë qenë 65 vota dhe kundër, 53 sish, shkruan srf.ch.

Pika në të cilën kanë rrahur të dy palët kundërshtare ka qenë niveli i njohjes së gjermanishtes si parakusht për marrjen në shqyrtim të kërkesave të të huajve për natyralizim (marrje të pasaportës zvicerane). Kështu, ligji në nivel federal kërkon që shkalla e nevojshme e zotërimit të gjermanishtes me gojë është B1 ndërsa me shkrim tolerohet edhe A2. Ndërsa në Kantonin Thurgau kjo tash e tutje do të jetë B2 me gojë dhe B1 me shkrim. Me këtë vendim, Thurgau po bëhet kantoni me kriteret më të ashpra për natyralizim në gjithë Zvicrën. Niveli i njohjes së gjuhës që e kanë kërkuar deputetët e Thurgaut, nga shumëkush quhet nivel i maturës ose i elitës, transmeton albinfo.ch. Duke qenë i tillë, vendosja në ligj e këtij kushti, përjashton nga pretendimi për natyralizim të gjithë punëtorët fizikë.

Kanë qenë partitë e djathta, SVP dhe FDP ato që, pas debatit të gjatë ia kanë arritur ta imponojnë qëndrimin e tyre restriktiv sa i përket natyralizimit

Qeveria e Kantonit, pas leximit të parë të ligjit pati qenë e gatshme të merrte në konsideratë kërkesën e partive të përmendura për caktimin e një niveli më të lartë të njohjes së gjuhës si kusht. Por ajo refuzonte që këtë nivel ta fuste në Ligjin përkatës për natyralizimin në nivel të komunës dhe të Kantonit.

Nga ana tjetër, SVP argumentonte se për integrim nevojitet njohje e mirë e gjuhës gjermane. Sipas kësaj partie, duke kërkuar novelin B2/B1, nuk po kërkohet “asgjë jonjerëzore”. Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate (SP), Të Gjelbrit, Liberalët e Gjelbër dhe CVP/EVP kanë qenë kundër ashpërsimit, përcjell albinfo.ch. Argumenti i tyre ka qenë se procedura e natyralizimit duhet të jetë korrekte, edhe për të huajt e gjeneratës së parë.