Futboll

“Tifozët Kuq e Zi” ndërprenë bojkotin

Grupimi i ultrasve të organizuar të skuadrës përfaqësuese ka nisur fushatën e anëtarësimeve për edicionin e ri kualifikues

Bojkoti ka përfunduar, Kombëtarja shqiptare do të ketë mbështetjen e “Tifozëve Kuq e Zi” edhe për ndeshjet që luhen në shtëpi.

Grupimi i ultrasve të organizuar të skuadrës përfaqësuese ka nisur fushatën e anëtarësimeve për edicionin e ri kualifikues.

Me anë të një njoftimi në llogarinë e tyre në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”, “TKZ” ka bërë me dije kushtet dhe tarifat e pagesave për secilin anëtar që do të jetë pjesë e tyre, përcjell albinfo.ch.

“Të dashur tifozë! Ju njoftojmë, që zyrtarisht kemi hapur anëtarësimet e reja për sezonin e ri eliminator ‘UEFA EURO 2020’. Anëtarësimi mund të bëhet vetëm pranë përfaqësuesve tanë të autorizuar, kushton 10 euro dhe zgjat deri me përfundimin e ciklit eliminator.

Gjithashtu, shfrytëzojmë rastin t’i falënderojmë të gjithë përfaqësuesit tanë për punën VULLNETARE dhe dashurinë e tyre për ‘Shqipni Etnike’ dhe t’u urojmë suksese përfaqësuesve të rinj në këtë sezon eliminator”, ka shkruar dje “TKZ”.

“Panorama Sport”, mëson nga anëtarë të kryesisë së grupimit që nga shtatori do të rikthehen në shkallët e stadiumeve shqiptare, nisur nga takimi që kanë pasur në FSHF me drejtuesit e Policisë dhe me kreun e FSHF-së, Armand Duka, ku është arritur një akord mes palëve.