Shqipëria

Tiranë, hapet “Unaza e madhe” me gjatësi 2.1 km   

Erion Veliaj e Pandeli Majko e bënë xhiron e parë në Unazën e Madhe në Tiranë, e cila nga dje mbrëmë u lëshua në qarkullim. Unaza ka një gjatësi prej 2.1 km

Bashkia e Tiranës hapi dje për automjetet segmentin e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën,, duke zgjidhur problemin e trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati, në drejtim të qendrës si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nën shoqërinë e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko lëshuan në qarkullim segmentin e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke zgjidhur problemin e trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati, në drejtim të qendrës së Tiranës.

Veliaj e Majko, në mënyrë simbolike hoqën barrierat kufizuese, duke i hapur rrugë qarkullimit të automjeteve në këtë segment tepër të rëndësishëm, i cili siç thanë ata, do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.

Me një gjatësi prej 2.1 km, segmenti Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike është e kategorisë A2 e përshtatur për zona urbane me rrugë kryesore, rrugë paralele dhe e konceptuar si rrugë shpejtësie me 12 hyrje-dalje të disiplinuara.

Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve, janë ndërtuar dhe katër mbikalime automjetesh në disnivel, mbikalime këmbësorësh të pajisura dhe me ashensor për PAK, si dhe në të dy-drejtimet e lëvizjes janë ndërtuar trotuar si dhe korsi biçikletash.

Punimet e kryera me standardet më të mira evropiane përfshijnë ndërtimin e plotë të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e sinjalizimit vertikale dhe horizontale, instalimin e plotë të ndriçimit rrugor si dhe shtimin e gjelbërimit.