Kultura

Traditat shqiptare bëjnë jetën e tyre aktive në Zvicër

13 shoqëri janë paraqitur në maratonën folklorike të mbajtur në Crissier, duke shpalosur vlerat e folklorit shqiptar të të gjitha trevave

Se folklori në mesin e komunitetit shqiptar të Zvicrës bën ende jetën e tij aktive, dëshmia më e mirë ishte festivali i Folklorit “Zvicra 2011” që u mbajt të dielën që shkoi, në Crissier të kantonit Vaud. 13 shoqëri kulturore artistike dhe disa grupe rapsodësh janë paraqitur në maratonën e programit që ka zgjatur rreth shtatë orë, duke shpalosur vlerat më të mira të folklorit shqiptar të të gjitha trevave.

Ky festival, sipas organizatorëve, vjen pas 14 vitesh mungesë, nga viti 1997 kur në Bernë qe mbajtur për herë të fundit festivali i folklorit shqiptar në Zvicër. Kësaj radhe festivali nuk kishte karakter garash dhe kjo gjë nuk e ka dëmtuar atë. Përkundrazi, ka ndikuar në atmosferën më miqësore dhe të relaksuar në mes të grupeve.

Të sjellësh mbi 200 vallëzues, këngëtarë e instrumentistë të të gjitha moshave në një skenë, sigurisht nuk ka qenë e lehtë. Grupi organizues me Gani Fazliun, Setmer Selmanin  e Mahmut Maliqin të ndihmuar nga disa sponsorë  dhe duke pasur përkrahjen e Ambasadës së Kosovës, ia ka dalë të kurorëzojë me sukses këtë organizim të rrallë.

Dy ambasadorët e pranishëm, Naim Malaj i Ambasadës së Kosovës dhe Mehmet Elezi i asaj të Shqipërisë, kanë përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrësit për shërbimin e mirë që po i bëjnë kulturës kombëtare duke e kultivuar folklorin burimor shqiptar edhe në vend të huaj.

Kryetari i këshillit organizativ, Gani Fazliu në një fjalë rasti përkujtoi se në periudhën 1994-1997 në Bernë ishte mbajtur një festival folklorik shqiptar dhe se pastaj, për 14 vite ka pasuar një heshtje. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur aktivitet në fushën e folklorit.

© albinfo.ch

Në Zvicër kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë mbi 20 shoqëri e ansamble që kultivojnë folklorin shqiptar. Madje, duke apeluar te nevoja për mbështetje nga ana e institucioneve përkatëse të vendeve të prejardhjes,  Fazliu e tha me të drejtë edhe këtë: “në Zvicër mund të ketë ndoshta më shumë shoqëri të organizuara folklorike se në Shqipëri e Kosovë!”. Një konstatim i tillë mund të jetë i vërtetë po u pa paraqitja e shpeshtë e grupeve të folklorit në manifestimet e shumta të komunitetit tonë në Zvicër por edhe në dasma e ahengje private.

Në skenë janë paraqitur, me këngë, valle, rite dasmash e lojëra baritore shoqëritë si: “Ilirët” dhe “Teuta” nga Lozana, “Liria” nga Prilly, “Shota” nga Arau, “Vatra”, Bylah, “Bashkimi” Bernë, “Besa” Biel, “Mërgimi” Neuchatel, “Kosova”, Payern, “Dardania” Wintertur, “medvegja” Fully, “Drita” Kreuzlingen, “Gëzuar” Gjenevë. Ndërsa si rapsodë dhe grupe rapsodësh janë paraqitur : Visar Bytyqi e Halit Zuzaku, Fatmir Dragusha, Naim Emërllahu, Jetmir Perteshi, Ajvaz Bajrami e Naser Dragusha.

Të gjithë kanë prezantuar në mënyrën e tyre aspekte të ndryshme të folklorit të pasur shqiptar, duke i nxjerrë nga harresa shumë valle e rite të vjetra të traditës dhe duke i pasuruar ato me krijime të reja e me shije. Në skenë ka parakaluar një kolorit shumë i pasur veshjesh kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare, të bartura me elegancë nga të rinj e të reja shqiptarë, shumica e tyre të lindur ose të rritur në Zvicër.

Organizatori ka falënderuar për ndihmën e ofruar materiale dhe morale sponsorët dhe kontribuuesit tjerë si: Aziz Hasani, Kujtim Thaqi, Agron Shala, Faton Pireva Migjen Kajtazi etj.