Sport

Transferi i Xhakës luhatet, Bazeli kërkon 10 milionë!

Shtypi gjerman shkruan se krerët e Bazelit nuk “e shesin” aq lirë dhe nuk heqin aq lehtë dorë nga supertalenti shqiptar

Paralajmërimi i publikuar dy ditë më parë për kalimin e Granit Xhakës në Borussia Mönchengladbach duket se nuk është dhe aq i sigurt.

Sipas informacioneve që ka gazeta gjermane e futbollit “Kicker”, pazari me transferin e Xhakës mund të dështojë për punë parash. Informatat që ka kjo gazetë, e që janë përsëritur pastaj nga shumë medie tjera gjermane, thonë se krerët e Bazelit nuk “e shesin” aq lirë dhe nuk heqin aq lehtë dorë nga supertalenti shqiptar.

Ndonëse vlera që Xhakës i jepet në merkaton e futbollit është 6 milionë euro, thuhet se Bazeli kërkon për të së paku 10 milionë… Dhe këtu ka hasur sharra në gozhdë sepse Gladbach nuk mund të japë një shumë të tillë.

Nga ana tjetër skuadra gjermane ka një alternativë dukshëm më të lirë për Xhakën. Fjala është për brazilianin Claudemir i cili luan në Danimarkë, për FC Kopenhagen. Çmimi i brazilianit është rreth 3 milionë euro, që është dukshëm më i volitshëm se ai i Xhakës, shkruajnë mediet gjermane.