Bota

Transporti ajror, më i sigurti

Vitin e kaluar u regjistruan vetëm 45 aksidente ajrore, 6 prej të cilave ishin të shoqëruar me humbje jete. Në total u shënuan vetëm 19 viktima, nga 202 të vdekur në 2016, në 67 aksidente ajrore

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) ka publikuar të dhënat për vitin 2017 në lidhje me performancën e sigurisë në industrinë e linjave ajrore.

Kështu, vitin e kaluar u regjistruan vetëm 45 aksidente ajrore, 6 prej të cilave ishin të shoqëruar me humbje jete. Në total u shënuan vetëm 19 viktima, nga 202 të vdekur në 2016, në 67 aksidente ajrore.

Përmirësimi është edhe më i madh nëse e krahasojmë me mesataren e periudhës 2012-2016. Risku i fatalitetit ra në vetëm 0.09 pikë, nga 0.24 që ishte gjatë kësaj periudhe, shkruan ‘Scan’.

Në të gjithë botën, gjatë 2017-ës fluturuan mbi 4.1 miliardë udhëtarë në 41.8 milionë fluturime. Kjo përkthehet në vetëm 1 incident madhor për çdo 8.7 milionë fluturime. Në këtë mënyrë transporti ajror konfirmohet edhe më i fuqishëm si mjeti më i sigurt i transportit, përcjell albinfo.ch.

Sidoqoftë, IATA ka vendosur të vazhdojë ta bëjë këtë industri më të sigurt dhe pritet të nisë një analizim të veçantë të aksidenteve që ndodhin, në mënyrë që të përcaktojnë edhe kushtet që mund të sjellin aksidente.