E-Diaspora

Tregimet e Bytyçit, shembuj guximi artistik dhe qytetar për kohën

"Tregimet kanë mënyrën dramatike të rrëfimit (...) që na kthen në atë situatë e në ato rrethana, duke na e paraqitur atë kohë, të qartë e të prekshme (...) nga një penë e mprehtë, e cila me guximin intelektual, qysh në atë kohë, paska trajtuar tema për situatën e vështirë që kalonte vendi ynë"

I pranishëm prej mëse dyzet vitesh në letrat shqipe, Gani Bytyçi hyn në grupin e atyre krijuesve që nuk shpejtojnë të publikojnë libra por vazhdojnë veprën e tyre edhe kur janë jashtë fokusit të publikut. Dëshmi për këtë pohim kemi faktin se ai librin e tij të parë me tregime „Makth“ e ka publikuar pas një kohe kaq të gjatë të marrjes me letërsi. Dhe, se ky libër ka tërhequr vëmendjen e publikut lexues dhe kritikës u pa edhe në mbrëmjen e mbajtur në Winterthur më 14 prill, në organizim të Ansamblit „Trojet“.

Një numër i konsiderueshëm artdashësish, krijuesish dhe miqsh të autorit po merrnin pjesë në mbrëmjen ku promovohej vëllimi i tregimeve „Makth“ i Gani Bytyçit. Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore që e kishte krijuar nikoqiri i mbrëmjes, në këtë takim të këndshëm me letërsinë u shpalos jo vetëm libri i përmendur i Bytyçit por edhe gjithë krijimtaria e tij, gjegjësisht profili i tij i shumanshëm artistik. Gani Bytyçi ndonëse më gjatë merret me letërsi, në njëzet vitet e fundit më tepër është imponuar me artin pamor, gjegjësisht me pikturën e tij.

Publikun e ka përshëndetur me një fjalë rasti kryetari i Ansamblit „Trojet“ që vepron në Winterthur, Zeqir Gashi ndërsa biografinë bashkë me të dhënat për krijimtarinë e Gani Bytyçit, e ka lexuar aktori Ramadan Morina.

Një vështrim shterrues mbi librin e Bytyçit e ka lexuar dhe komentuar krijuesi dhe kritiku letrar, Shefqet Dibrani. Ai ka vënë në fokus të vështrimit të tij në veçanti guximin krijues por edhe qytetar të autorit, i cili në një kohë të ankthshme, si ajo e viteve 1981-1986 ka shkruar dhe botuar tregime që sfidonin fuqishëm „të vërtetën“ zyrtare e të frikshme të kohës në Kosovë.

„Tregimet e Gani Bytyçit, të mbledhura e botuara në librin “MAKTH”, artikulojnë zhvillimet politike e shoqërore në vitet, kur ato janë publikuar. Tregimet kanë mënyrën dramatike të rrëfimit, nëpërmjet një figuracioni të rrallë, që na kthen në atë situatë e në ato rrethana, duke na e paraqitur atë kohë, të qartë e të prekshme si në shuplakë të dorës, veçse këtu ajo gjendje na përshkruhet në një mënyrë figurative e krejt artistike, nga një penë e mprehtë, e cila me guximin intelektual, qysh në atë kohë, paska trajtuar tema për situatën e vështirë që kalonte vendi ynë, një situatë dramatike e atij realiteti, që lidhej drejtpërdrejt me përpjekjen për ekzistencën dhe mbijetesën e qenies shqiptare“, shkruan Dibrani në vështrimin e tij, duke u ndalur pastaj në disa nga tregimet më përfaqësuese të Gani Bytyçit, që për „lëndë të parë“  kanë kohën e përmendur.

Po ashtu Shefqet Dibrani ka vlerësuar në superlativ elegancën e gjuhës, nivelin e lartë të kulturës gjuhësore që shpërfaqet në tregimet e Bytyçit. Shikuar nga ky aspekt madje ai këtë libër e veçon si shembull që duhet t`u shërbejë krijuesve letrarë sot, dhe jo vetëm atyre në diasporë.

Shefqet Dibrani ka lexuar edhe pjesë nga vështrimet e dy kritikëve tjerë që janë marrë me librin e Gani Bytyçit: Sylejman Dërmakut dhe Faik Shkodrës, të cilët po ashtu kanë vënë në pah guximin krijues të autorit të librit „Makth“ dhe sigurisht, nivelin artistik përmes të cilit lënda jetësore është sjellë në trajtë tregimesh, gjegjësisht të librit. Po ashtu ai ka pëermendur edhe dy shkrimtarë dhe kritikë tjerë, Besnik Mustafaj dhe Xhemal Ahmeti,  të cilët kanë shkruar me vlerësim të lartë për librin e Bytyçit.

Recensenti Faik Shkodra, për tregimet e Bytyçit, duke vlerësuar shkathtësinë artistike të autorit veç tjerash thotë se „tregimet janë shkruar me frymëzim spontan. Duke i trajtuar çështjet bosht mbi jetën dhe realitetin historik e shoqëror, autori zbulon ëndrrat, dëshirat, aspiratat, shqetësimet, brengat, vuajtjet, preokupimet dhe vlerat shpirtërore e ndjenjore të personazheve. Duke pasur parasysh këto të dhëna, kuptojmë se autori materialin jetësor, historik dhe kulturën popullore ka arritur ta asimilojë në mënyrë artistike dhe në këtë aspekt tregimeve u ka siguruar vlera ideoestetike dhe vlera gjuhësore e stilistike“.

Ndërsa Sulejman Dërmaku, pasi ka vënë në pah lidhjen e autorit me dhembjet e kohës të komunitetit që i takon, është ndalur edhe në vlerësimin e artit të të shkruarit. „Tregimet janë shkruar me një gjuhë të lehtë, me fjalës të zgjedhur e të pasur dhe me një sintaksë mjaft joshëse e të qartë, ndaj tërheqin që të lexohen. Mesazhet tekstore dhe nëntekstore, posaçërisht ato metaforike, janë të qëndrueshme dhe i dedikohen çdo brezi lexues“, shkruan veç tjerash Dërmaku.

Para publikut është prezantuar edhe vetë autori, i cili ka falënderuar organizatorin dhe të pranishmit për nderimin e bërë. Ai në veçanti është shprehur mirënjohës për vlerësimin e lartë që i është bërë nga referuesi i mbrëmjes, Shefqet Dibrani.

„Unë mendoj se kur një krijues e vlerëson dhe e çmon veprën e tjetrit, kjo është fisnikëri dhe një ndjenjë shumë miqësore, është virtyt, si rasti i mikut tim Shefqet Dibrani, sonte këtu. Ndaj edhe unë i kam marrë si të tilla fjalët dashamirëse dhe vlerësimet e larta që më kanë bërë miqtë e mi shkrimtarë, kritikë e studues të letërsisë“, ka thënë veç tjerash Gani Bytyçi. Ai është ndalur edhe në „zymtësinë“ që ia atribuojnë atmosferës së tregimit të tij. Sigurisht, këtu ka një të vërtetë, ka thënë autori, duke qenë se koha në të cilën zhvillohet ngjarja, ka qenë e tillë, e zymtë. Por nga kjo nuk duhet të nxirret ndonjë përfundim për Gani Bytyçin si një njeri dhe artist i zymtë. Përkundrazi. Gjë që e ka treguar edhe atmosfera e ngrohtë, miqësore dhe me humor që e ka krijuar ai, me afërsinë por edhe me elokuencën dhe mjeshtërinë e komunikimit me lexuesit.

Në mbrëmjen promovuese, Ramadan Morina, Qëndresa Kuqi dhe Fikrim Morina kanë lexuar pjesë nga libri dhe e kanë sjellë për të pranishmit atmosferën e tregimit të Bytyçit. Ndërsa vogëlushja Delina Nuhiu ka interpretuar me mjeshtëri në piano disa pika muzikore.