Kultura

„Tregtari“ i Asghar Farhadit

Filmi më i ri i regjisorit dhe skenaristit iranian, Asghar Farhadi i titulluar “Forushande” (Tregtari) është vazhdimësi e filmave të jashtëzakonshëm që ky autor ka sjellë para audiencës botërore në një periudhë kohore prej pak më shumë se dhjetë vjetësh.

Asghar Farhadi fillet e para të krijimtarisë së tij si regjisor i ka shpalosur në teatër për të kaluar mandej me krijimtarinë filmike. Ai shfaqet si autor filmi në vazhdën e një tradite që kishin krijuar disa autorë eminent iranian si: Abbas Kiarostami, Jafar Panahi, Majid Majidi, Mohsen Makhmalbaf, etj. Por edhe pse Farhadi është shfaqur i fundit në skenën botëore të filmit nga këta autor të jashtëzakonshëm iranian, filmat e tij kanë bërë që ai sot të konsiderohet si një nga autorët më cilësor jo vetëm të Iranit por gjithë botës. Filmat e tij janë shpërblyer dy herë me Oscar ( “Ndarja” dhe “Tregtari”), janë shpërblyer në Berlinale, në Cannes, e ku jo tjetër.

“Tregtari” rrëfim që gërsheton dy dashuritë e Farhadit

Filmi më i ri I Farhadit është një tregim që zhvillohet paralelisht në skenën e prapaskenën e një teatri dhe në jetën reale të një çifti bashkëshortor.

Tregimi fillon me ndriçimin e skënës së teatrit, gjegjësisht me prezentimin e skenografisë së shfaqjes “Vdekja e një tregtari” të autorit Arthur Miller, shfaqje në të cilëën më vonë e shohim se rolet kryesore i luajnë personazhet kryesor të filmit. Filmi fillon e mbaron në teatër. Por deri sa në fillim shohim reflektorët që ndizen e ndriçojnë skenën, zbulojnë ambientin ku do të zhvillohet “jeta” e personazheve të dramës së Millerit, në film, në fund të tij shohim se si dritat fiken në apartamentin e çiftit dhe i shohim mandej burrë e grua që janë ulur dhe vënë grimin, paruket, vënë maskat për të dalë para të tjerëve. Ndoshta në këtë botë nuk mund të jetohet ndryshe veç se me maskë.

Me filmat e tij të deritanishëm, Asghar Farhadi është treguar resgjisor dhe skenarist i fiksuar pas dramave “të vogla” familjare, të cilat i rrëfen në mënyrë të detajuar. Filmat e tij mund të konsiderohen minimalist për sa përket numrit të personazheve, skenave , etj. por në esencë janë filma të mëdhenj ngase trajtojnë dramat familjare në atë mënyrë që secilin nga audience e prekë, e tronditë. Filmat e tij nuk janë spektakle kinemaje, por janë drama që vlojnë përbrenda.

Tek “Tregtari“ duket se rrëfimin e zhvillonë më ngadale e më qetësisht, por vetëm kur arrinë në fund të rrëfimit kuptohet se sa lartë na ka dërgu ky rrëfim kinematografik.

Aktrimi në film dhe në teatër

Edhe në këtë film si dhe në filmat e tjerë të Asghar Farhadit, bie në sy aktrimi shumë i mirë, i mbushur me detaje. Aktorët gjatë gjithë kohës janë aktiv, janë duke bërë diqka dhe kjo u ndihmon atyre që të mos duken vetëm recitues, por aktorë tamam që flasin, veprojnë e mendojnë. Por në këtë film e veçantë është se aktorët duhet të luajnë personazhe të dyfishta, në skenën e teatrit dhe para kamerës. Dhe ata në të dy këto mediume arrijnë të shkëlqejnë dhe me këtë rast të vërtetojnë thënien se aktrimi si në film si në teatër duhet të jetë i mirë, i vërtetë, i sinqertë.

Pra, filmi “Tregtari“ përveç që është një tregim jashtëzakonisht i mirë, është edhe një mësim shumë i mirë për krijuesit filmik e teatror dhe pa asnjë dyshim mund të konstatohet se Asghar Farhadi dita ditës po shndërrohet në një Akademi Arti.

*Autori i vështrimit të shkruar enkas për albinfo.ch  është regjisor teatri dhe filmi