Shkurt.ch

Treni del nga binarët: 7 të lënduar lehtë

Nuk është raportuar për ndonjë lëndim të rëndë. Një orë pas aksidentit janë evakuuar të gjithë, 160 pasagjerët e trenit që qarkullonte nga Bazeli drejt Milanos

Dalja e një treni nga shinat në Stacionin Hekurudhor të Lucernit ka rezultuar me një aksident në të cilin kanë pësuar lëndime shtatë persona. Nuk është raportuar për ndonjë lëndim të rëndë, shkruan srf.ch. Një orë pas aksidentit janë evakuuar të gjithë, 160 pasagjerët e trenit që qarkullonte nga Bazeli drejt Milanos.

Sipas një zëdhënësi të Ndërmarrjes Federale të Hekurudhave (SBB), pak para orës 14 një vagon i trenit intercity është përmbysur nga njëra anë. Për pasojë është shqyer kulmi i vagonit të trenit ndërsa shumë vagonë të tjerë kanë dalë nga shinat. Pasi që me këtë rast është dëmtuar edhe shtylla e largpërçuesit, stacioni ka mbetur pa energji elektrike.

Qarkullimi i trenave në stacionin e Lucernit mbetet i bllokuar së paku deri në mbrëmjen e sotme.

Shkaku i aksidentit aktualisht është i panjohur. Policët kanë bllokuar terrenin rreth vendit ku ka ndodhur aksidenti.