Shqipëria

Treni do rikthehet në Tiranë, projekti edhe për Rinas

Ministria e Transporteve e Shqipërisë, ka vendosur të rikthejë stacionin e trenit në kryeqytetin e Shqipërisë.

Më herët stacioni i trenit ishte zhvendosur në Kashar, çka ka bërë që të ulet dukshëm edhe numri i udhëtarëve që udhëtojnë nga Tirana për në Durrës, përcjell albinfo.ch.

“Heqja e stacionit ka ulur me 60 për qind numrin e udhëtarëve. Kështu që nëse nuk e kthejmë, nuk ka gjasa që hekurudha të funksionojë. Stacioni në Tiranë do të jetë vetëm për pasagjerë”, ka deklaruar drejtor i Transportit në MTI, Thimio Plaku.

Hekurudha Durrës-Tiranë dhe lidhja e re me Rinasin është një projekt me vlerë 90 milionë euro, që financohet nga BERZH-i, Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Qeveria shqiptare.

Sipas Qeverisë, stacioni i trenit do të ndërtohet tek ish-stacioni i vjetër, në krah të bulevardit të ri dhe ai do të kushtojë 1.2 milionë euro, së bashku me lidhjen deri te stacioni në Kamëz.