Kultura

Tri autore me rrënjë ballkanike “nën strehën” e Dürrenmatt-it të madh

Shkrimtaret: Ilma Rakusa, Melinda Nadj Abonji dhe Meral Kureyshi kanë kaluar tashmë kufijtë zviceranë dhe bëjnë pjesë ndër emrat e respektuar në gjithë arealin e letërsisë gjermane

Pas një shëtitjeje mbresëlënëse nëpër dhomat e shtëpisë muze të shkrimtarit të madh zviceran Friedrich Dürrenmatt, në emër të mikpritësit, “Centre Dürrenmatt Neuchâtel”, mysafirët i ka përshëndetur Madeleine Betschart. Ajo ka prezantuar tri shkrimtaret me prejardhje nga Ballkani, të cilat kanë bërë emër në letërsinë e Zvicrës të shkruar në gjuhën gjermane, mysafire të kësaj pasditeje letrare.

Ilma Rakusa, Melinda Nadj Abonji dhe Meral Kureyshi kanë kaluar tashmë kufijtë zviceranë dhe bëjnë pjesë ndër emrat e respektuar në gjithë arealin e letërsisë gjermane. Qasja e tyre si krijuese në mes të dy kulturave ishte në fokus të takimit letrar të mbajtur të shtunën në këtë ambient të mrekullueshëm. Po ashtu si një urë ndërmjet kulturave gjegjësisht shoqërive: zvicerane dhe asaj shqiptare, është prezantuar në fillim të këtij takimi, platforma albinfo.ch. Ajo ka qenë edhe sponsore mediale e këtij aktiviteti.

Të qenët “ndryshe” në ambientin ku ato jetojnë që nga fëmijëria e hershme, në Zvicër, ka qenë tema fokus e pasdites letrare kushtuar autoreve:  Ilma Rakusa, me prejardhje sllovene-hungareze, Melinda Nadj Abonji, hungareze nga Vojvodina dhe Meral Kureyshi, turke nga Kosova.

Tri krijueset, në debatin që drejtohej nga kritiku letrar Daniel Rothenbühler kanë shpalosur përvojat e tyre si “të huaja” në Zvicër, ku kishin ardhur “pa fajin” e tyre por me atë të prindërve, shkruan albinfo.ch. Dhe ku pastaj kanë gjetur veten, me talentin dhe ambicien e tyre artistike.

Rakusa: “Mehr Meer” (Më shumë det)

“Duhej të mbanim qetësi, të mos na dëgjohej zëri ne fëmijëve, të mos lëshohej muzikë në mbrëmje etj. se zviceranët mund të zemërohen”, evokon më e moshuara nga tri zonjat shkrimtare, Ilma Rakusa. Ajo kishte ardhur si e vogël, në fillim të viteve `50 me familjen nga Lubjana, Sllovenia ndërsa më parë kishte jetuar edhe në Trieste dhe në Budapest. Në librin e “Mehr Meer” (Më shumë det) nga i cili ka lexuar para publikut, Rakusa flet për vendlindjen, kopshtin e gjyshes, vizitat e saj gjatë pushimeve verore në një atmosferë dehjeje me  ngjyrat dhe aromat e vendlindjes. Të gjitha këto i rrëfen nga perspektiva e një fëmije që rri pezull në mes të vendlindjes dhe vendit ku prindërit kanë vendosur të jetojnë tash e tutje.

Libri “Mehr Meer” është shpërblyer në vitin 2009 me çmimin për librin zviceran të vitit. Autorja, Rakusa punon si mësimdhënëse në Seminarin e gjuhëve sllave në Universitetin e Cyrihut.

Nadj Abonji: Tauben fliegen auf” (Pëllumbat fluturojnë)

Autorja e radhës, Melinda Nadj Abonji, veprën e së cilës e karakterizon gjithashtu përballja me traumën në mes të vendit të prejardhjes dhe vendit ku jeton, duket se e merr më me “sportivitet” këtë gjë. Ajo, tek lexon nga libri i saj me elemente autobiografike “Tauben fliegen auf” (Pëllumbat fluturojnë) sjell pasazhe me humor dhe me vetironi, të mbështetur në situatat e familjes hungareze Kocsis, me banim në Zvicër. Janë mbresëlënëse debatet e kamerieres me prejardhje hungareze me mysafirin e rregullt në restorant, një italian të moshuar, ku përmes ironisë therëse shpalosen paragjykimet për të huajt, sidomos për ata nga Ballkani.

E lindur në vitin 1968 si fëmijë e prindërve hungarezë në Beçej, Serbi (Vojvodinë) Abonji ka ardhur në Zvicër në moshën pesë vjeçare. Romani i saj i dytë “Tauben fliegen auf” në vitin 2010 është vlerësuar me çmimin gjerman dhe me atë zviceran për librin e vitit. Duhet theksuar se është e para autore që këtë çmim e ka sjellë në Zvicër. Po me këtë roman ajo ka marrë edhe çmimin për Librin Zviceran të vitit 2010.

Kureyshi: “Elefanten im Garten” (Elefantët në kopsht)

Meral Kureyshi, më e reja në këtë trio, sjell me romanin e saj të parë “Elefanten im Garten” (Elefantët në kopsht) magjinë e vendlindjes, Prizrenit të fëmijërisë së saj të hershme. Kontakti i frymës së avashtë të jetës së Ballkanit me Zvicrën e rregullave strikte, është një keqkuptim pothuaj i programuar. Së këndejmi vjen edhe nevoja e vogëlushes për të imagjinuar, për të shpikur gjëra që s`janë, por që tërheqin vëmendjen e moshatarëve të saj zviceranë. Së këndejmi ka ardhur pra edhe “Elefantët në kopsht”, siç quhet romani i suksesshëm i Meral Kureysh, nga i cili ajo ka lexuar disa fragmente interesante. Aty parakalojnë situata të pazakonshme nëpër të cilat kalon një fëmijë i ardhur për të jetuar në një ambient tërësisht të ri. Kemi veç tjerash ndjenjën e pakëndshme që përjeton vajza e brishtë nga Ballkani kur nëna i thotë të ftojë si mysafire nënën e shoqes zvicerane të klasës. Dhe ku do të ulet ajo, në banesën e varfër të emigrantëve ku veç krevateve nuk ka asnjë orendi tjetër!

Meral Kureyshi, e lindur në vitin 1983, fëmijërinë e ka kaluar si vajzë e prindërve me prejardhje turke në Prizren, Kosovë ndërsa ka ardhur në Zvicër në moshën 10 vjeçare. Ajo, me romanin e saj të parë “Elefanten im Garten” (Elefantët në kopsht) është nominuar në vitin 2015 për çmimin për librin e vitit në Zvicër ndërsa në vitin 2016 ka marrë çmimin letrar të Bernës.

Aktiviteti është zhvilluar brenda kornizave të edicionit të dytë të “Printemps culturel” me temën “Carrefour Sarajevo”. Organizatorë:  “Centre Dürrenmat Neuchâtel” së bashku me “Deutsch-Club”. albinfo.ch ishte në rolin e sponsorit medial.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/tri-autore-me-rrenje-ballkanike-nen-strehen-e-durrenmatt-it-te-madh/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.