Kultura

Tri festa me një simbolikë të përbashkët

17 Shkurti, 7 dhe 8 Marsi janë festa që kanë një ndërlidhje të natyrshme mes vete, u tha në manifestimin e mbajtur në Bülach

Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ditës së Mësuesit dhe Ditës së Gruas ka qenë shkasi për tubimin në Bülach, të një numri të madh të bashkatdhetarëve tanë nga regjioni i Cyrihut. Manifestimi i mbajtur të dielën, më 4 mars, është organizuar nga LAPSH e këtij kantoni.

Pas himnit kombëtar të kënduar nga nxënësit e shkollave shqipe dhe ekzekutimit të himnit shtetëror të Kosovës, programin e kanë udhëhequr mësuesit Afërdita Veliu dhe Hasan Spahiu. Ata, veç tjerash folën për rëndësinë e ditëve historike që po shënoheshin me këtë manifestim dhe për ndërlidhjen në mes tyre.

Po kështu për një simbolikë të përbashkët që përshkon këto tri data të shënuara ka folur edhe koordinatori i LAPSH-së për Kantonin e Cyrihut, Nexhat Maloku. Ai pastaj është fokusuar në shënimin e Ditës së Mësuesit. Me këtë rast, Maloku ka pranuar se qëllimi i LAPSH-së, përfshirja sa më e madhe e nxënësve në procesin e mësimit shqip, është shumë larg realizimit. “Rreth 6000 është numri i nxënësve shqiptarë në shkollat e rregullta të kantonit të Cyrihut, ndërsa vetëm rreth 700 prej tyre ndjekin mësimin plotësues”, ka thënë koordinatori. Ai ka theksuar se kjo përqindje është shumë më e vogël në krahasim me atë të komuniteteve tjera të huaja në këtë kanton.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe përgjegjësi, i zyrës profesionale për shkollën shqipe jashtë vendit në Ministrinë e Arsimit të Kosovës, Nuhi Gashi. Ai ka njoftuar publikun për përpjekjet që po bën zyra e tij për ngritjen e cilësisë së mësimit plotësues. Një numër librash shkollorë dhe fletoresh pune që janë botuar ose do të botohen së shpejti, përbëjnë sipas z. Gashi projektin ambicioz të kësaj zyre që pret të rrumbullakohet deri në shtator të këtij viti.

Ndërsa koordinatori i LAPSH-së së Zvicrës, Hamëz Morina ka folur shkurtë. “Dërgoni sa më shumë fëmijët tuaj në shkollën shqipe”, ka qenë porosia e tij drejtuar të pranishmëve.

Mësuesit bashkë me nxënësit e tyre kishin përgatitur një program të pasur me shumë recitime e këngë, kushtuar Kosovës, dëshmoreve por edhe me tema nga përditshmëria fëmijërore. Shumica e fëmijëve që defiluan, treguan përkushtimin e madh të tyre dhe të mësuesve që i kishin përgatitur. Por, sigurisht, kishte edhe improvizime të ngathëta apo këngë më pak të qëlluara për natyrën e moshës së tyre.

Ndërsa SHKA “Dardania” e Winterthurit, e udhëhequr nga Shefqet Cakolli, ka impresionuar të pranishmit me një sërë vallesh folklorike, të luajtura vetëm nga grupi i fëmijëve që funksionon me mjaft sukses në kuadër të kësaj shoqërie.

Këngëtarja Ajshe Fetaj-Muriqi ka dëshmuar edhe një herë përkushtimin e saj në ruajtjen e vlerave autoktone të folklorit shqiptar duke kënduar disa këngë me lahutë dhe çifteli.

Drejtuesit e programit falënderuan dhe u dhanë mirënjohje për mbështetjen materiale të ofruar dy sponsorëve të manifestimit: agjencionit të sigurimeve “Kulla” dhe autoshkollën “Pacolli”. Me këtë rast Gëzim Kasumaj në emrin e agjencisë “Kulla” falënderoi organizatorët, ndërsa Sami Pacolli u zotua se do të jete sponsor i përhershëm i LAPSH.-së së Cyrihut.

Publikun e argëtuar në vazhdim këngëtari Gëzim Jaha me orkestrën.

Foto galeri