Bota

Trump e pranon Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit

Presidenti i Amerikës, Donald Trump ka marrë një vendim që nuk e kishin bërë shumë liderë të SHBA-së, duke njohur zyrtarizht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, pavarësisht paralajmërimeve nga e gjithë bota se ky veprim do të nxiste trazira mes izraelitëve dhe palestinezëve në Lindjen e Mesme.

Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se administrata e tij do të nisë edhe procesin e transferimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Tel Avivi në Jeruzalem, gjë që pritet të marrë disa vite kohë, përcjell albinfo.ch.

Trump e quajti vendimin e tij si një hap “tejet të vonuar” për të avancuar procesin e paqes.

Trump vepron kështu bazuar mbi ligjin e vitit 1995, që u kërkon Shteteve të Bashkuara të transferojnë Ambasadën e tyre në Jerusalem. Paraardhësit e tij, nga Bill Clinton, George W. Bush e deri te Barack Obama ishin tërhequr nga ky vendim për të mos përflakur më tej tensionet në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, një i dërguar palestinez tha se vendimi i Trumpit ishte një “deklaratë lufte” për Lindjen e Mesme. Papa Françesku gjithashtu kishte bërë thirrje që të respektohej “status quo”-ja e Jerusalemit, pasi sipas tij tensionet e mëtejshme në këtë rajon do të nxisnin konflikte në mbarë botën. Edhe Kina e Rusia shprehën shqetësim mbi planet e Trump, sepse sipas tyre do të përkeqësojnë armiqësitë në Lindjen e Mesme.

Pas këtij lajmi, nuk kanë munguar reagimet nga shtetet myslimane, duke pasur edhe në shumë vende protesta.