Bota

“Trump po tregon dobësi ekstreme”

NZZ am Sonntag, Intervistë me Nicholas Burns

NZZ am Sonntag: Zotëri Burns, Ju e quajtët së fundmi zgjedhjen e Trump-it si president të SHBA-së një rrezik për rendin botëror liberal. Çka mendoni me këtë?

Nicholas Burns: Politika e ardhme e jashtme e SHBA-së është brengosëse. Presidenti i zgjedhur i SHBA-së nuk ka kurrfarë përvoje as politike, as ushtarake dhe është i paqartë në deklarimet e tij. Edhe ekipit të tij të mbledhur i mungon përvoja politike. Kjo shkakton pasiguri. Si në partinë republikane, ashtu edhe në atë demokratike frikësohen nga kursi izolacionist dhe miqësia e tij me Rusinë. Trump nuk e qortoi asnjëherë presidentin rus për pengimin e zgjedhjeve në SHBA, për intervenimin në Ukrainë, për aneksimin e Krimesë apo për krimet ndaj njerëzimit në Siri. Mungesa e kritikës së Trump-it ndaj Putin-it është joadekuate. Putin-i është kundërshtari ynë kryesor në botën e sotshme.

A nuk është kjo e pakuptueshme? Nëse ai nuk e pranon përzierjen e rusëve në zgjedhjet presidenciale, a nuk do ta dëmtojë kështu eventualisht legjitimitetin e tij si president?

Kështu siç shihet, rusët janë përzier në mënyrë të vrazhdë në luftën zgjedhore amerikane. Trump-i personalisht nuk do të duhej të brengosej: ai  i ka fituar zgjedhjet bindshëm. Ai është president dhe duhet të kujdeset për atë që roli i Rusisë të hetohet dhe të sanksionohet. Në Senat ekziston një ligj i përkrahur nga të dy partitë që përkrah sanksionet ndaj Rusisë.

Por edhe përkundër shqetësimeve të fundit në lidhje me gjoja përpjekjet për shantazh të Rusisë, Trump beson se mund të bashkëpunojë në të ardhmen me Putin-in?

Deklaratat e Trump-it për Rusinë janë jashtëzakonisht për keqardhje dhe shumë naive. Trump po tregon dobësi ekstreme. Kjo është keq. Ne na duhet një reagim më i fortë kundër veprimeve të Putin-it ndaj Amerikës.

Trump dëshiron të ulet në një tavolinë me Putin-in dhe t’i zgjidhë problemet mes burrave. Nuk ju bind kjo?

Kështu nuk funksionon politika në rrafshin ndërkombëtar. Aty nuk janë në pyetje ndjenjat. Putin-i nuk është person sentimental. Ai është një cinik dhe qëllimi i tij janë thjesht interesat. Është absolutisht e qartë se interesat amerikane dhe ato të Evropës janë diametralisht të kundërta me interesat e Putin-it. Shikoni kancelaren federale gjermane, Angela Merkel. Ajo ka pasur një qëndrim shumë të qartë dhe të ftohtë ndaj Putin-it. Me këtë ajo u tregua efikase.

Si ka mundur të ndodhë që rusët nga vera e vitit 2015 të kenë bërë sulme hakerësh dhe kjo të zbulohet dhe të dënohet tek tash?

Në sulmet kibernetike përgjegjësinë e shoh tek Putin. Ai do të duhej të ishte adresa e zemërimit tonë. Presidenti Obama ka vepruar në mënyrë korrekte me dëbimin e 35 rusëve.

Çka dëshiron të arrijë Putin përmes këtyre sulmeve? A do ta shkatërrojë rendin liberal demokratik të ndërtuar nga SHBA-ja që nga Lufta e Dytë Botërore e tutje?

Ruajtja e këtij rendi është e një rëndësie të veçantë. Ky rend ruan ligjshmërinë e shteteve dhe paqen në botë. Këtu rusët janë një problem masiv. Me Krimenë ia vodhën një pjesë të territorit Ukrainës. Edhe ndarja e Ukrainës, dërgimi i trupave përtej kufijve dhe kërcënimi i vazhdueshëm i shteteve baltike japin shkas për brengë. Për këtë duhet një rol i fortë i Amerikës në botë, një NATO e fortë dhe një bashkëpunim i fortë mes SHBA-ve dhe Evropës.

Ministri i Punëve të Jashtme, Rex Tillerson, e konfirmoi gjatë kësaj jave këtë qëndrim në dëgjimin e tij para Kongresit. A nuk është kjo shumë optimiste?

Kjo është vështirë të thuhet. Trump pati pozicione aq ekstreme gjatë fushatës zgjedhore dhe në fazën kalimtare , aq sa Tillerson iu desh të tërhiqet. Fakt është se dallimi më i madh i fuqisë së SHBA-ve dhe Rusisë është NATO-ja. Ne jemi pjesë e kësaj aleance të rëndësishme. Putin-i nuk ka diç të ngjashme. Ne shpresojmë se Trump-i do të mbështetet në të dhe do ta përkrahë NATO-n. Fatkeqësisht nuk duket se Trump-i do të shkojë në këtë drejtim. Droja është e ai do të bëjë marrëveshje me Putin-in kundër Shtetit Islamik dhe në dëm të  evropianëve.

Si e mendoni këtë? Nga çka do të duhej të frikësoheshin evropianët?

Në Evropë ka brenga se rusët do të mundohen t’i ndikojnë zgjedhjet edhe në Francë, në Holandë dhe në Gjermani. Rusia beson se do të dalë e paprekur. Ajo dëshiron të fusë një pykë dhe Amerika t’i heqë sanksionet ndaj Rusisë të ngritura për shkak të luftës në Ukrainë. Putin-i dëshiron ta dobësojë fuqinë e SHBA-ve dhe të Gjermanisë. Për këtë nuk kam kurrfarë dyshimesh. Ky është një ndër qëllimet e tij më të rëndësishme.

Si mund të pengohet kjo?

Unë këshilloj që sanksionet kundër Rusisë të mbahen dhe të rritet prezenca e NATO-s në shtetet baltike dhe ato të Evropës Lindore. Gjermania dhe SHBA-ja të bashkuara janë më të forta se Rusia. Kështu edhe duhet të paraqitemi. Unë nuk dëshiroj që kështu të tingëlloj ushtarakisht. Por ne duhet t’i ruajmë institucionet tona demokratike. Presidenti rus kupton vetëm gjuhën e forcës.

Por Rusia posedon edhe mundësi të shumta për t’i shkaktuar probleme Amerikës?

Po, këtë po e përjetojmë tash në Siri. , ku rusët po zhvillojnë një luftë të pamëshirshme ndaj civilëve dhe nuk po na ofrojnë ndihmë në luftë kundër IS-it. Duket qartë se Wladimir Putin tash synon copëtimin e Sirisë. Këtë nuk duhet lejuar. Por ka edhe sfera ku mund të bashkëpunojmë me rusët: në Afganistan  ose në politikën ndaj Koresë së Veriut dhe ndaj Iranit. Ne na duhet një dialog me Moskën. Por ne duhet të jemi realistë dhe të shohim se çfarë diferencash kanë SHBA dhe Rusia: në Lindjen e Afërm, në Baltikë , në Krime dhe në Ukrainë.

Trump po refuzon rolin e “policit të botës” së Amerikës. A është lodhur Amerika në këtë rol? Luftërat në Afganistan dhe në Irak po zgjasin tash e 15 vjet pa sukses të qartë?

Pas sulmeve terroriste të vitit 2001 ne nuk kishim zgjidhje tjetër përveçse të luftojmë në Afganistan. Ne u sulmuam nga atje dhe nuk kishim alternativë tjetër përveçse të luftonim. Invazioni në Irak ishte një gabim. Dhe pasi që Shteti Islamik shfrytëzoi vakumin e lënë pas tërheqjes sonë më 2011 u desh të kthehemi atje detyrimisht.

Politika e jashtme Trump-it do të përbëhet nga “dilet” me qëllim të krijimit të vendeve të punës në SHBA. A mund të funksionojë kjo?

Bërje e bizneseve duket të jetë një ndër instrumentet më të rëndësishme drejtuese të Trump-it. Por ekonomia amerikane është që tash në gjendje të mirë dhe po rritet. Papunësia jonë është nën 4,7 për qind. Ne kemi një bazë shumë të mirë, qëndrojmë shumë mirë në fusha të ndryshme të high-teknikës. Ne kemi arsye të plotë për optimizëm sa i përket ekonomisë sonë.

Trump vë në pyetje tregtinë e lirë dhe do që përmes një marrëveshje të re të sjellë vende të reja pune sektorin e industrisë në Amerikë.

Në këtë fushë mund të kemi edhe ndryshimet më të mëdha. Unë megjithatë e përkrah ende Nafta-n, marrëveshjen e tregtisë së lirë për Amerikën veriore, që ishte edhe për ne e suksesshme. Unë i përkrah marrëveshjet me BE-në si dhe partneritetin transpacifik TPP. Këto marrëveshje nuk e ndihmojnë vetvetiu vetëm ekonominë tonë, por kanë edhe rëndësi strategjike për ne. Kështu TPP kërkon nga Kina respektim më të madh të pasurisë krijuese dhe respektim më të madh të parimeve ligjore në tregti.

Nëse Trump e vë në dispozicion Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, atëherë do të shkelim në një tokë të re dhe shpresoj se nuk do të na lulëzojnë luftërat tregtare me Kinën dhe shtetet e tjera. Natyrisht se në tregti ne do të duhej t’i mbronim interesat tona sa të jetë e mundur, por tregtia e lirë paraqet për mua një ndër shtyllat e rendit liberal botëror dhe ajo ju ka shërbyer interesave tona. Unë shpresoj se Trump nuk do të ndjekë politikë proteksioniste. Kjo do t’i dëmtonte si interesat tona, ashtu edhe ato të aleatëve tanë.

Trump ka paralajmëruar një kurs të ashpër ndaj Kinës, pikërisht në tregti, në valutë dhe në konfliktin në Detin Jugor Kinez. Si i vlerësoni Ju këtë?

Raportet me Kinën janë shumë të rëndësishme edhe në 50 vitet e ardhshme. Në shumë tema ne jemi partnerë si në ndryshimet klimatike apo në stabilitetin e ekonomisë botërore. Në tema të tjera ne jemi konkurrentë. Në Azi SHBA-të janë fuqia kryesore ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilën gjë Kina nuk e sheh me dëshirë. Qëllimi është që konkurrenca dhe partneriteti me Kinën të mbahen në balancë. Mos të harrojmë se Kina është në aleancë me Korenë e Veriut dhe ky shtet po përpiqet të zhvillojë armë atomike. Po ia arriti kësaj do të jetë një sfidë e madhe për qeverinë amerikane.

Trump do ta përmbysë status-kuonë në politikën shëndetësore, me ndërtimin e murit me Meksikën apo me futjen e tatimeve proteksioniste?

Kur është në pyetje politika tregtare unë shpresoj në Kongresin,  që Trump të mos arrijë ta demontojë sistemin, që është kaq i rëndësishëm për tërë botën. Ne jemi end ekonomia nacionale më e fortë dhe më inovative e botës. Edhe në aspektin ushtarak jemi fuqia dukshëm më  e madhe dhe të tillë do të mbesim edhe falë aleancave tona jashtë NATO-s si me Autralinë, Japoninë, Korenë e Jugut apo Tajlandën. Ne politikisht kemi ende shumë ndikim dhe në masë të konsiderueshme mund ende të ndërojmë si “softpower”. SHBA-të janë ende në pozita shumë të fuqishme dhe të avancuara. Ne nuk jemi përfshirë nga rënia. Me shpresë Trump do ta kuptojë se ne kemi shumë anë të forta.

Nicholas Burns

Gjashtëdhjetëvjeçari Nicholas Burns isht 27 vjet i angazhuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të SHBA-ve. Së fundi si zëvendësministër në kohën e presidentit Georg W. Bush. Që nga viti 2008 jep mësim në Kennedy School of Goverment të Universitetit të Hardvard-it në Boston.

Përkthimi për albinfo.ch nga Nexhmedin Gerguri