Bota

Trump do të anulojë Lotarinë Amerikane

“Nuk dua më që në këtë vend të vijnë njerëz me lotari. Dua që të vijnë mbi bazë të meritave, njerëz me aftësi dhe që mund ta mbështesin veten financiarisht"

Presidenti amerikan Donald Trump i është rikthyer çështjes së lotarisë amerikane, duke përsëritur qëndrimin e tij për anulimin e programit. Këtë e ka bërë në një fjalim të mbajtur këtë të premte (sot).

“Nuk dua më që në këtë vend të vijnë njerëz me lotari. Dua që të vijnë mbi bazë të meritave, njerëz me aftësi dhe që mund ta mbështesin veten financiarisht. Njerëz që mund të kontribuojnë për ekonominë tonë, që e duan Amerikën dhe ndajnë të njëjtat vlera me ne”, tha Donald Trump.

Edhe pse fjalimi ishte lajmëruar për njoftimin e sanksioneve të reja kundër Koresë së Veriut, kreu i Shtëpisë së Bardhë priti 80 minuta para se t’i përmendte ato, shkruan tch.

Sipas Trumpit bëhet fjalë për sanksionet më të rënda të vendosura ndonjëherë kundër një vendi.

Masat shënjestrojnë më shumë se 50 kompani të transportit detar në Korenë e Veriut, por gjithashtu edhe në Kinë dhe Tajvan. “Shpresoj që ky hap do të sjellë gjëra pozitive”, ishin fjalët e presidentit amerikan.

I pari i Uashtingtonit mbrojti gjithashtu planin e tij për të armatosur zyrtarët, mësuesit, administratorët dhe trajnerët, si kundërpërgjigje të sulmit në shkollën e Floridës.

“Një mësues do ta kishte vrarë në vend agresorin, para se ai ta dinte se çfarë po ndodhte”, tha Trump. Më herët, presidenti kritikoi policin e armatosur, i cili qëndroi jashtë shkollës në Parkland gjatë të shtënave me armë. Sipas tij, efektivi tashmë i dorëhequr kishte bërë një punë shumë të keqe.