CH-Ballkani

U pezullohet veprimtaria 21 OJQ-ve “të rrezikshme”

Vendimi për pezullimin e aktiviteteve të këtyre organizatave, është ripërsëritur vit pas viti me dyshimin “se kanë rënë ndesh me rendin Kushtetues të Kosovës”

Më shumë se 20 organizata jo qeveritare janë mbyllur brenda dy viteve të fundit në Kosovë për shkak të, siç thuhet, aktiviteteve të jashtëligjshme. Prej tyre, 13 organizata u pezulluan në vitin 2015, ndërsa 8 organizata të tjera janë mbyllur në vitinn 2016. Të gjitha këto OJQ dyshohen se kanë punuar me fondacione nga Lindja e Mesme.

Vendimi për pezullimin e aktiviteteve të këtyre organizatave, i marrë nga Ministria e Administratës Publike në Kosovë, është ripërsëritur vit pas viti që prej vitit 2014 me dyshimin “se kanë rënë ndesh me rendin Kushtetues të Kosovës dhe kanë cenuar sigurinë e përgjithshme”.

Zyrtarët e Ministrisë së Administratës Publike thanë për Radion Evropa e Lirë, se pezullimi i veprimtarive të OJQ-ve të caktuara, u “bazua në kërkesën e organeve kompetente dhe ai është ripërsëritur”.

Bajram Kosumi drejtor i Departamentit për Organizatat Joqeveritare në Ministrinë e Administratës Publike, tha se “janë gjithsej 21 organizata joqeveritare ndaj të cilave departamenti për OJQ ka marrë vendim për pezullim të veprimtarisë së tyre gjatë vitit të kaluar”..

“Organizatat për të cilat është marrë vendimi që t’u pezullohet puna janë kryesisht ndërkombëtare”, tha Kosumi.

Sipas listës së Ministrisë së Administratës Publike, organizatat joqeveritare të cilave u është hequr e drejta për të punuar në Kosovë, kanë shtrirë veprimtarinë në gjithë territorin e vendit.

 

Një pjesë e tyre kanë punuar në jug të Kosovës në qytetin e Prizrenit dhe një numër syresh të regjistruara në Prishtinë kanë shtrirë, thonë zyrtarë qeveritarë, aktivitetin në pjesën qendrore të vendit.

Veprimtaria e paligjshme në fushën mikrofinanciare, ndërkaq, i kushtoi me mbyllje, pak kohë më parë, njërës organizatë joqeveritare, thanë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.

Një zyrtar i BQK-së, Besnik Kada, tha se “në vitin 2014 kanë hasur në një institucion të dyshimtë mikrofinanciar, të cilit i është ndaluar veprimtaria”.

“Në këtë drejtim, theksohet rasti i vendimit të BQK-së i datës 25 shtator 2014, ndaj IMF Kosova Aid and Development të cilit i pezullohen të gjitha aktivitetet e lejuara me regjistrimin e datës 2 dhjetor 2015 të lëshuar nga BQK-ja me arsyetimin se: Me datë 17 shtator 2014 Ministria e Administratës Publike, Departamenti për Organizata Jo-Qeveritare ka nxjerrë vendim përmes të cilit ka pezulluar veprimtarinë e Organizatës Joqeveritare “Kosova Aid and Development” pas kërkesës që i është bërë nga organet kompetente të sigurisë”, ka thënë Kada në një përgjigje përmes postës elektronike.

Ndërkohë, vendimi për pezullimin e punës së 21 OJQ-ve ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 2016 u mor, siç thanë mekanizmat e sigurisë në Kosovë, për faktin “e përkrahjes dhe shtytjes së ideve ekstremiste, mos arsyetimit të shpenzimeve të donatorëve si dhe mos raportimit në Ministrinë e Administratës Publike të aktiviteteve vjetore”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, tha se mekanizmat e sigurisë në Kosovë po i përcjellin me kujdes aktivitetet dhe “organizimet e ndryshme që vlerësohen si të dyshimta dhe të kundërligjshme” dhe nënvizoi se përveç OJQ-ve këtu përfshihen edhe “individë të caktuar”

Imami i një xhamie në qytetin e Podujevës, Idriz Bilalli, tha se ‘individë të caktuar po vazhdojnë punën e tyre pavarësisht pezullimit’ dhe, siç tha, “për këtë është në dijeni edhe vetë Bashkësia Islame”.

“Më e keqja është se një numër i madh i këtyre aktivistëve të cilët kanë themeluar dhe kanë udhëhequr këto OJQ, edhe vendore edhe të huaja, ndërkombëtare, janë punëtorë të BIK-ut dhe punëtorë të tjerë. Ata janë të njëjtit njerëz. Unë mendoj se BIK-u, gjegjësisht kryesia, duhet të merret me këta njerëz, të cilët thjesht me ato veprimtari të tyre kanë rënë ndesh me ligjin…”, tha Bilalli.

Ndërkohë, Bashkësia Islame e Kosovës nuk e përjashtoi pohimin se “persona që kanë punuar në organizata të ndryshme joqeveritare e që janë mbyllur, janë ose mund të kenë qenë pjesë të tij”.

“Kemi pasur edhe raste kur imamët tanë kanë punuar me shoqata të ndryshme, të cilat kanë vepruar këtu deri tash në mënyrë legale. Por, pas ndalimit me ligj unë besoj se pushon veprimtaria dhe puna e tyre dhe këto gjëra do t’i rregullojmë të gjithë edhe ne si institucion”, tha Ahmet Sadriu zëdhënës i BIK-ut.