Sport

UEFA: Selmanaj, golashënuesi i dytë pas Ronaldos!

Ky lojtar i Futsallit  ka shënuar 12 gola për Liburnin e Kosovës në ndeshjet për Kupën UEFA Futsal dhe 9 herë tjera për Kombëtaren e Shqipërisë në kualifikimet për UEFA Futsal Euro 2018

Dhjetori i është muaji i bërjes së bilanceve në çdo fushë të jetës edhe në sport, gjegjësisht në futboll, po ashtu. UEFA ka bërë një ranglistë të golaveshënuesve më të mirë të vitit 2017. Vendin e parë këtu e zë, kush tjetër pos Cristiano Ronaldo, me 19 gola të shënuar për Real Madridin në Ligën e Kampionëve të UEFA-s. Ai po ashtu ka shënuar edhe 8 gola për Portugalinë, në kualifikimet e Botërorit.

Por, kush është i dyti pas Ronaldos? Ai është lojtari jo aq i njohur i futbollit në sallë (Futsall) Halim Selmanaj, shrkuan albinfo.ch. Ai, veç tjerash është i vetmi futbollist përveç Ronaldos që gjatë vitit 2017 ka shënuar më shumë se 20 gola. Ky lojtar i Futsallit  ka shënuar 12 gola për Liburnin e Kosovës në ndeshjet për Kupën UEFA Futsal dhe 9 herë tjera për Kombëtaren e Shqipërisë në kualifikimet për UEFA Futsal Euro 2018.

Sigurisht, krahasimi i Selmanajt me mbretin e futbollit botëror, Ronaldon është i papërshtatshëm. Por, qëndron fakti se emri i tij figuron si i dyti pas Ronaldos në listën zyrtare të përpiluar nga UEFA.