Lajme

Universiteti i Luganos dhe i Prizrenit, së shpejti me marrëveshje bashkëpunimi

Lucio Tonello, shef i shkencave bio-matematikore në Universitetin e Luganos, tha se ekziston gatishmëria për të lidhur bashkëpunim me Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren  

Një delegacion i Universitetit të Luganos në Zvicër kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar ngushtë me Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Ky delegacion, në përbërje profesor Lucio Tonello, shef i shkencave bio-matematikore dhe profesor Glanda Cappello janë pritur nga rektori i Universitetit në Prizren, Ramë Vataj.

Temë bosht e takimit ishte vendosja e bashkëpunimit mes të dy universiteteve dhe definimi i fushave përkatëse ku mund të bashkëpunohet, thuhet në një njoftim për media, transmeton Albinfo.Ch.

Rektori Vataj i njoftoi mysafirët nga Universiteti i Luganos për të arriturat dhe sfidat e Universitetit të Prizrenit dhe theksoi se ekzistojnë fushat e interesit të përbashkët ku mund të fillojnë bashkëpunimin, mundësia e shkëmbimit të studentëve, profesorëve dhe përvojave.

Tonello, shef i shkencave bio-matematikore në këtë universitet tha se ekziston gatishmëri për të lidhur bashkëpunim mes të dy universiteteve.

Delegacioni nga ky Universitet është takuar edhe me ushtruesin e detyrës së dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, Isuf Lushi, i cili është shprehur i gatshëm të bashkëpunoj në të gjitha aspektet dhe fushat e interesit të përbashkët.

Në një të ardhme të afërt rektori Vataj do të vizitoj Universitetin e Luganos me ftesë të tyre ku do të nënshkruhet marrëveshje për bashkëpunim në fushat akademike.