E-Diaspora

Uracult e Kölnit sjell vlerat shqiptare në Europë

Ky nuk ishte vetëm një koncert rasti, por takim i intelektualëve të vjetër dhe të rinj, i atyre që janë formësuar në trevat dhqiptare e edhe i atyre në Europë

Alma Bejtullahu, Driton Gashi dhe Kushtrim Gashi, për një mbrëmje të tërë fundjavën që iku, mbajtën sytë dhe …shpirtin e publikut në skenën e vogël të shtëpisë së kulturës Mütze në Köln. Ata në kuadër të shoqërisë kulturore shqiptare UraCult të Kölnit kënduan këngë që nga Shqipëria e mesme e deri në veriun e Shkodrës.

Të rralla janë mbrëmjet elite artistike në skenat europiane kur artistët e rritur në ato mese bashkohen dhe japin shfaqje shqip, me ato vlera që i nxjerrin nga pasuria krijuese kombëtarë dhe i sheshojnë para bashkëkombasve, por edhe para të huajve. Por të rralla janë edhe mbrëmjet e tilla në atdhe, në skenat që sikur janë harruar, ashtu si defiluan këngët shqiptare në Köln, nga zërat e këngëtarëve Alma Bejtullahu dhe Driton Gashi, të përcjellë me orkestrimet brilante të kompozitorit Kushtrim Gashi me seli në Darmstadt të Gjermanisë.

Alma Bejtullahu kishte ardhur nga Lubjana, ndërsa Driton Gashi nga Reklinghausen i Gjermanisë. Ata i bashkuan zërat në një mikrofon, i bashkuan këngët dhe i bashkuan shqiptarët dhe miqtë e tyre gjermanë, për ta dëgjuar këngën e kultivuar qindvjeçare shqipe, por për të ofruar edhe këngë të reja.

Ky nuk ishte vetëm një koncert rasti, por takim i intelektualëve të vjetër dhe të rinj, i atyre që janë formësuar në trevat dhqiptare e edhe i atyre në Europë. Në këtë atmosferë, artistja e madhe Alma Bejtullahu, solli aq shumë këngë të „fjetura“ shqiptare, që kanë dalë si perla të pavdekshme nëpër kohë nga njeriu i atyre viseve. Ajo bashkë me Driton Gashin, për disa minuta i sollën në skenë edhe jaret shkodranet dhe këngët e Shqipërisë së memsme duke dalë edhe përtej Shkumbinit, për t’i zbritur nga rrënzat e Tomorit këngët beratase.

Por e gjithë kjo nuk mori fund me kaq. Driton Gashi, promovoi aty edhe këngët e albumit të tij të dytë me titullin simbolik „Shtegtar“ ku i ka përfshirë këngët e kënduara më parë edhe nga këngëtarë të tjerë, por edhe këto të vetat origjinale. Por një këngë e përpunuar e shkrirë aq bukur artistikisht, ishte edhe kënga e njohur e Jusuf Gërvallës „Do të kthehem nënë“, të cilën nuk e këndoi vetëm Driton Gashi, por edhe Jusuf Gërvalla. Ai kishte bërë shkrirjen e dy zërave në një këngë që solli emocione të thella, duke ruajtur melodinë e origjinalit dhe duke iu përshtatur timbrit baladik të Jusuf Gërvallës në këtë këngë.

Duke falënderuar publikisht edhe Suzana Gërvallën, gruan e Jusufit për lejen që këngën ta bëjë në këtë mënyrë si kishte dashur, Driton Gashi shprehu një mirënjohje me emocion për familjen Gërvalla, që aty u përfaqësua nga Donika Gërvalla.

Po ashtu, një këngë e re, si „Prishtina ime“ që këtu u dëgjua për herë të parë, riktheu kujtimet për qytetin e të rinjve të një kohe, që u desh ta braktisnin atë në kohë lufte, me dhembje të mëdha, për ta nderuar tash vendin e tyre në zemër të Europës me vlera shkencore, kulturore, arsimore e sportive.

Kjo ishte vetëm një mbrëmje, vetëm një hap në udhëtimin e shoqërise kulturore shqiptare UraCult në Köln që me ngulm po e shfaq kulturën dhe krijimtarinë shqiptare në një metropol europian me ndihmën e djemve dhe vashave tona që kanë përfunduar universitetet dhe studimet e larta në Gjermani.

Po në të njëjtën skenë, UraCult, më 14 tetor ka organizuar edhe shfaqjen e regjisorit Jeton Neziraj „Një shfaqje me katër aktorë…“, e cila sërish do t’i tubojë shqiptarët dhe miqtë e tyre gjermanë në Köln.

https://mail.google.com/mail/b/AGLcOmRVCyaHZIZP6y-Lnn71ZNmOCwzbugX5gZQz3cL5amZ0O7zO/u/0/#inbox/15efd8bc5b4f1f1d?projector=1