Bota

Uragani Irma, 6.3 milionë njerëz braktisin shtëpitë e tyre

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, deri në 37 milionë njerëz mund të preken nga efektet e stuhisë në ditët në vijim

Mijëra njerëz në Floridë kanë kërkuar strehim në strehimoret emergjente nga frika e uraganit Irma. Stuhia Irma ka kaluar duke shkatërruar ishujt në Karaibe dhe merr rrugën drejt brigjeve të Floridës, shkruan albinfo.ch.

Erërat e Irma-s arrijnë shpejtësinë maksimale deri në 300 kilometra në orë. Kjo e bën Irmën stuhinë më të fortë të matur në Atlantik që nga fillimi i regjistrimeve.

Një total prej të paktën 25 personash janë vrarë në disa ishuj të Karaibeve. Sipas parashikimeve, Irma do të arrijë në Florida në mëngjesin e së shtunës së hershme (kohë lokale). Në Miami dhe Savannah tashmë është urdhëruar evakuimi i detyruar.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, deri në 37 milionë njerëz mund të preken nga efektet e stuhisë në ditët në vijim.

Shërbimi meteorologjik amerikan paralajmëroi për përmbytje dhe tornado në Floridë. Rreth 6.3 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të sigurohen para stuhisë. Kjo korrespondon me rreth 30 për qind të popullsisë së shtetit federal.

Guvernatori i Floridës, Rick Scott, u bëri thirrje të gjithë njerëzve në zonat e evakuimit të shtunën për t’u transferuar në strehimore. Kushdo që nuk largohet nga stuhia e rrezikshme ekstreme, merr rrezikun e vet, paralajmëroi guvernatori i Floridës, Rick Scott. Pasdite, më shumë se 50,000 veta kishin kërkuar strehim në strehimore emergjente.