CH-Ballkani

Urrejtja për diasporën nuk është debat por shfryrje instinktesh të ulëta

Meliza Krasniqi në postimin e saj të shkurtër, përmes gjuhës së pamatur dhe me premisa urrejtjeje, ka arritur të kthejë kundër vetes një numër shumë të madh të mërgimtarëve dhe jo vetëm të tyre

Një postim i bërë në facebook nga Meliza Krasniqi, bashkëshortja e ministrit në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqit, ka ngjallur një debat të ashpër në rrjetet sociale dhe në mediat e Kosovës. Krasniqi, e cila është edhe punonjëse në Institutin Albanologjik, kishte bërë një postim në të cilin me një ton pezhorativ dhe në mënyrë të padiferencuar flet për diasporën shqiptare, shkruan albinfo.ch. Në postimin e saj të shkurtër, përmes gjuhës së pamatur dhe me premisa urrejtjeje, ajo ka arritur të kthejë kundër vetes një numër shumë të madh të mërgimtarëve dhe jo vetëm të tyre.

“Unë çdo vikend i qes fëmijët diku, qoftë në qendër tregtare, te lodrat, park, kinema etj. Stina e verës ma gërdit deri në vjellje këtë rutinë time…” e nis ajo tekstin, duke paralajmëruar se ata që ia kanë “gërdit” këtë rutinë janë  mërgimtarët. Pastaj ajo e sqaron edhe “hallin” që ka me këta të fundit, duke shpërfaqur disa nga stereotipet që qarkullojnë në Kosovë për “shacat”. Ata, sipas saj kanë kerre më të mira (që ajo nuk i bie në fije se si ikanë blerë), kanë paga më të mëdha ndërkohë që janë “Me shumë më pak shkollë”, veshmbathje më të mirë por “me shije më të ulët” etj.etj. Dhe duke qenë kështu, mërgimtarët vazhdimisht ankohen, ndërkohë që ajo, Meliza thotë se “nuk e ka aspak për borxh me u ndi keq. Sepse, sipas saj, diaspora kurrë nuk mund ta dojë Kosovën më shumë se ata që kanë “zgjedhur” për të jetuar në Kosovë dhe ku bën pjesë edhe ajo, raporton albinfo.ch. Në fund fare, autorja kontraverse u drejtohet mërgimtarëve duke u thënë “Mirësevini, mirë se ju kemi e lum e shyqyr që i kemi shtëpitë e ndame”,, duke i vënë kështu kulmin ironisë së saj.

Siç dhe mund të pritej, lumi i reagimeve ka qenë i vrullshëm dhe në raste edhe agresiv e banal. Por ka pasur në këtë vërshim të indinjatës edhe mjaft reagime të matura e racionale. Sigurisht, fakti se Meliza është bashkëshortja e një politikani aktiv, e ka bërë më të papërmbajtur mllefin e shumicës së reaguesve.

Kështu, Kaltrina Ademi i kujton Melizës dhe të tjerëve që shfryjnë kundër diasporës se qasja e tyre ndaj mërgatës, përveç urrejtjes, tregon edhe cektësinë e tyre. Sepse përtej “shijes së lartë për veshmbathje” dhe “shkollimit të lartë”, kjo kategori dëshmon një boshllëk dhe mjerim intelektual, me të cilin nuk do të arrinin larg në shoqëritë perëndimore ku jeton mërgata jonë “e pasur por e pagdhendur”. Kaltrina po ashtu ia kujton Melizës faktin se është gruaja e një politikani të një qeverie dhe klase politike të etiketuar si korrupte, prandaj indirekt edhe ajo është pjesë e kategorisë që po e gërryen të sotmen dhe ardhmërinë e këtij vendi

Ngjashëm reagon edhe Frashër Oseku nga Suedia. Ai ia sqaron Melizës se nga i ka marrë të hollat për të blerë makinën dhe banesën: me kredit, sigurisht “dhe jo si ju me cash në dorë”, para të ndyra nga politika. “Femijet e mi nuk i qes neper qender Tregtare por ne Muze, Bibliotek, aktivitete dhe i jap vemendje qe do thote (ma pak vemendje ne gucci çanta) e me shume kohe me femijet… Edhepse jetoj ne mergat qe nga ”89 kur kersiti nuk bajta byth si do antar familjes tende por u ktheva. Keshtu qe patriotizmi nuk shitet me patriotizem folklorik por me vepra…”, shkruan veç tjerash Oseku.

Ndërkohë, e përballur me numrin e madh të reagimeve, Meliza Krasniqi ka bërë edhe një postim, ku kërkon falje për postimin e mëparshëm.

Ja çfarë shkruan ajo:

“Tek shqiptaret edhe gjaku falet e po konsideroj qe edhe nje status i imi, i momentit dhe ndoshta i pamatur mire, do te falet. E di qe fjala eshte ma e rande se arma dhe ajo mund te lendoje shume, por ky s’ka qene asnjehere qellimi im.
Une i kerkoj falje sinqerisht te gjithe mergimtareve dhe kujtdo qe eshte ndi i ofenduar nga keto fjale.
I kerkoj falje edhe familjes sime qe pa dashje u bene subjekt i kesaj teme dhe i aq shume sharjeve qe s’i kisha imagjinuar ndonjehere.
Me vjen shume shume keq per fjalet e pavend, edhe per keqinterpretimin e tyre. E di qe tash s’ia vlene qe te spjegoje se cka kam menduar, por po ashtu besoj se kurre nuk eshte i drejte linqimi ndaj kujtdo per shprehje te nje mendimi, qofte edhe te pamenduar mire”.

Në përgjithësi, së paku që nga dalja në dritë e rrjeteve sociale, polemikat, përfshirë këtu edhe ofendimet dhe goditjet “nën brez” janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Debati, edhe kur bëhet me tone të ashpra, sigurisht që është i shëndetshëm për zhvillimin e një shoqërie por kur prek ndjenjat kolektive të një kategorie të tërë të popullit, sikur konkretisht, ndaj diasporës, ai nuk është më debat por shfrim instinktesh të ulëta dhe pasqyrë e nivelit të atyre që e përdorin.