Bota

Uruguai, me deputeten e parë transgjinore

Michele Suarez është bërë senatorja e parë transgjinore në Uruguai dhe premtoi se do të përdorë pozitën e saj për të zgjeruar dhe mbrojtur të drejtat e transgjinorëve në shtetin jug-amerikan.

Deputetja 34-vjeçare, e cila përfaqëson Partinë Komuniste, fitoi ulëse në Dhomën e Lartë të Kongresit, ku mendon të shtyjë përpara ligjin që do t’u mundësojë transgjinorëve që legalisht të ndryshojnë gjininë e tyre pa miratimin e gjykatës, përcjell albinfo.ch.

Ajo po ashtu do të kërkojë që 1 për qind e punëve të qeverisë të jenë të rezervuara për transgjinorët dhe të themelohet pensioni që do t’i kompensojë të persekutuarit gjatë diktaturës ushtarake mes viteve 1973- 1985.

“Uruguai ka përparuar, por ende është shtet diskriminues”, ka thënë Suarez. Në një intervistë për AP, Suarez tha se ishte 15-vjeçare kur e kuptoi se ishte grua e cila “jetonte në trupin e një burri”.

Ajo shtoi se prindërit e saj ishin shumë përkrahës, por disa mësues dhe miq të shkollës e kanë diskriminuar.