Kosova

Uta Ibrahimi pushton edhe majën Manasolus në Nepal

Uta ka sakrifikuar dhe është stërvitur shumë këtë periudhë, e cila i është shpërblyer me realizimin e suksesshëm të kësaj ngjitjeje, po aq e vështirë sa e Everestit

Xhimi Begeja, trajner i alpinistes kosovare, Uta Ibrahimi, njofton se gjilanasja ka pushtuar sot majën Manasolus në Nepal, e cila është e teta në botë me lartësi prej  8,160 metrash. Ibrahimi ka shkruar histori në alpinizmin mbarëshqiptar, duke pushtuar dy maja me mbi 8 mijë metra brenda një viti në Himalaje.

“Personalisht si trajner i saj emocionohem pa masë për këtë mrekulli të sportit të alpinizmit, sepse ajo mori pjesë e vetme në një ekspeditë ndërkombëtare. Uta ka sakrifikuar dhe është stërvitur shumë këtë periudhë, e cila i është shpërblyer me realizimin e suksesshëm të kësaj ngjitjeje, po aq e vështirë sa e Everestit. Ajo do të pritet përsëri si heroinë në aeroportin e Prishtinës”, ka shkruar Begaj.

Uta Ibrahimi është e para femër që në maj të po këtij viti pushtoi majën më të lartë të botës, Everestin, me mbi 8848 metra.