Futbolli Shqiptar në Zvicër

Vajzat nga diaspora, në mes të dy kombëtareve

Tërheqja e shortit për Botërorin e femrave “Francë 2019” shkaktoi një ngarkesë psikologjike: Kosova do të luante kundër Shqipërisë. Dhe kjo përballje pati pasojat e veta...

Zhvillohej minuta e 90 e lojës, kur për ironi pas një krosimi të kosovares Saranda Hashani, që luan për Shqipërinë, Kosova pëson një autogol, duke i mundësuar kështu Shqipërisë fitoren e parë në këtë ndeshje parakualifikuese për botëror.

Pas ndeshjes, Saranda, e cila ka lindur në Zvicër dhe momentalisht është ndër lojtaret kyçe të FC Luzern femrat, deklaroi se ishte një lojë shumë ndryshe nga ato për të cilat është paraqitur deri më tash për Shqipërinë. Por, duke qenë se kemi të bëjmë me dy ekipe të të njëjtit komb, Saranda e sheh pak të rëndësishme se kush do të shkojë tutje, mjafton njëra nga përfaqësueset. “Jemi një”, thotë ajo për albinfo.ch.

Saranda Hashani dhe Qendresa Krasniqi

Të njëjtin mendim e shpreh edhe kosovarja tjetër e Shqipërisë, Qëndresa Krasniqi që luan po ashtu në Kampionatin Zviceran, në ekipin e Yverdonn-it. E transferuar para 6 muajsh nga Kosova në futbollin helvetik, Qëndresa beson se përgatitja dhe përvoja ishin faktorë vendimtarë në fitoren e ndeshjes në Elbasan.

Një përballje me pasoja

Tërheqja e shortit për grupet parakualifikuese për Botërorin e femrave “Francë 2019” e bërë në Nyon të Zvicrës, dha rezultatin që më së paku pritej: nga 4 ekipet e grupit B, përballja në mes dy prej tyre shkaktoi menjëherë një lloj ngarkese psikologjike dhe emocionale. Ishin pikërisht Kosova dhe Shqipëria në këtë grup, e që do ishte edhe debutim i Kosovës në një garë të tillë. Po përballja me Shqipërinë, kishte edhe pasojat e veta. Mbi gjysma e futbollisteve të kombëtares së Shqipërisë ishin nga Kosova. Ndërsa në anën tjetër, po ashtu ishin edhe disa vajza të cilat më herët kishin prezantuar Shqipërinë, e që më pas janë përcaktuar për Kosovën, por për shkak të mos dhënies së lejes nga FIFA, nuk kishin të drejtë loje, një hendikep mjaft i madh ky për Përfaqësuesen Kosovare.

Se ishte edhe një ndeshje me ngërç psikologjik e me shumë emocione, pajtoheshin edhe dy përzgjedhësit e kombëtareve, Afërdita Fazlija dhe Amir Grima, duke marrë për bazë që përballë njëra-tjetrës ishin vashat që janë nga Kosova e luajnë për Shqipërinë dhe vashat e Kosovës.

Blerta Shala dhe Antigona Behluli

Vendosi për Kosovën

Gjilanaset Antigona Behluli dhe Blerta Shala, kanë dy muaj që janë transferuar nga futbolli kosovar në FC Zürich të Zvicrës. Të dyja ishin në mesin e atyre 6 vajzave fatkëqija, që dikur ishin pjesë e kombëtares së Shqipërisë, e për shkak të mos kompletimit të dokumentacionit, nuk u ishte dhënë leja për të përfaqësuar Kosovën në këtë ndeshje. Pas pranimit nga FIFA, pa ndonjë mëdyshje kishin pranuar ftesën për kombëtaren e Kosovës, ku edhe kishin zhvilluar ushtrimet.

“Jemi të gjithë shqiptarë, por duke qenë se jemi nga Kosova, dëshira jonë ka qenë që t`i mbrojmë ngjyrat e Kosovës”, shprehen ato, duke refuzuar kështu disa privilegje që mund t`i ofrojë Shqipëria.

Valentina Limani, pjesë e klubit të madh gjerman FFC Frankfurt, kishte pasur ofertën për të përfaqësuar Shqipërinë, por e zhgënjyer nga zvarritjet për pajisjen e saj me pasaportë shqiptare, si dhe për shkak të formimit të kombëtares së Kosovës, ajo vendosi për Kosovën. Përderisa e llogarit si jo korrekte mënyrën se si Shqipëria ka marrë shumë lojtare nga Kosova, e që sipas saj ishin joshur nga privilegji i udhëtimeve pa viza, gjë që kosovaret nuk e kanë.

Diaspora shqiptare, “furnizuese” e dy kombëtareve

Pas 3 ndeshjeve të zhvilluara, Kosova pësoi 3 humbje, përderisa Shqipëria me dy fitore dhe 1 barazim, arriti të kalojë fazën parakualifikuese, duke shkuar kështu direkt tashmë në kualifikime.

Sikurse edhe tek meshkujt, siç pamë edhe në këto dy përfaqësuese të femrave, diaspora shqiptare del të jetë edhe një nga kontribuueset më të mëdha, pasi që shumë nga pjesëtaret e dy përfaqësueseve, luajnë në liga perëndimore, apo kanë lindur dhe janë rritur atje, por gjithmonë veten e kanë parë të luajnë ne vendin e të parëve të tyre. E që sipas shumë prej tyre nuk ka rëndësi a për Kosovën a për Shqipërinë, pasi që jemi një.

 

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/vajzat-nga-diaspora-ne-mes-te-dy-kombetareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.