E-Diaspora

“Vakum”-i si koncept artistik dhe si “lëndë e parë” e një ekspozite

Me vakumin si koncept artistik dhe si lëndë e parë për pikturë, ndeshemi në ekspozitën më të re të Avdi Hajdarit, të hapur më 24 maj në Cyrih

 

Në njërën nga rrugicat piktoreske që të çojnë drejt sheshit “Lindenhof”, të vendosur si kulm në lagjen më të vjetër të Cyrihut, nuk mund ta huqesh galerinë “Galerie am Lindenhof”. Është një hapësirë e vogël por simpatike në qytetin e vjetër, që duket sikur e krijuar për të ekspozuar art. Piktori Avdi Hajdari – Kame, ka zgjedhur këtë ambient për të prezantuar krijimtarinë e tij më të re, të përfshirë brenda ciklit “Vakum”.

Të gjitha, 21 punimet e ekspozuara këtu, nuk janë punuar në pëlhurë, që është materiali klasik për pikturën por në një masë plastike me vakum që përdoret për ambalazhim dhe transport.

“Në çdo vakum, unë e shoh nga një kod të fshehur. Gjatë kërkimit tim artistik përpiqem t`i nxjerr, t`i zbuloj ato kode, që të shpërthejnë jashtë. Në punime ka edhe formula nga matematika dhe fizika, të cilave jam munduar t`ua nxjerr kuptimin ekzakt dhe kjo punë imja vazhdon edhe më tutje”, thotë autori Avdi Hajdari – Kame për albinfo.ch.

Ai sqaron se në këtë ekspozitë kemi të pasqyruar ciklin më të ri të krijimtarisë së tij, gjegjësisht vetëm punimet me temën “Vakumi”, prej nga ka marrë titullin edhe ekspozita. “Me këtë cikël jam duke u marrë prej tash një vit e gjysmë dhe shpresoj të kem sjellë diçka të re”.

Kushtrim Zeqiri është kurator i ekspozitës “Vakum”, punë kjo të cilën e ka realizuar me përkushtim. “Puna e kuratorit kërkon që t`ia njohësh veprën autorit të cilin e prezanton. Unë, duke e pasur mik, kam përcjell në vazhdimësi krijimtarinë e Avdiut dhe i kam zgjedhur 21 nga punimet e tij të ciklit më të ri”, thotë Kushtrimi për albinfo.ch.

“Me këtë ekspozitë Kame këtu e ka shprehur një “brainstorm” (stuhi mendimesh) pasi që ka pasur një pauzë relativisht të gjatë sa i përket ekspozimit të punimeve të tij. Përmes kodeve, ai shpërfaq emocionet e veta por edhe mundohet të mbërrijë diçka të caktuar”, shprehet Zeqiri. “Kame është artist shumë energjik, jep shumë për artin. Në veçanti në këtë cikël ai është mjaft origjinal, si nga aspekti i materialit që ka përdorur ashtu dhe për nga ana konceptuale”, thotë për albinfo.ch kuratori i ekspozitës, skulptori i ri, Kushtrim Zeqiri.

Avdi Hajdari (Kame) është i lindur në Kamnicë, Kosovë, në vitin 1978. Ka mbaruar Fakultetin e Arteve, drejtimin e pikturës në klasën e profesorit Tahir Emra në vitin 2002.

Ekspozita e titulluar “Vakumi” e hapur dje në “Galerie am Lindenhof”, në qytetin e vjetër të Cyrihut, mund të vizitohet deri më 29 maj.

E enjte/ E premte / 12.00 – 19.00
E shtunë /E diele  11.00 – 19.00
E hënë 12.00 – 19.00

Adresa: Galerie am Lindenhof, Pfalzgasse 3

8001 Zürich

T: 044 210 12 10