CH-Ballkani

Valë e re emigrantësh në Maqedoni

Auoritetet greke nuk po sigurojnë si duhet kufirin me Maqedoninë, prandaj numri i refugjatëve që kalojnë ilegalisht në Maqedoni çdo ditë po rritet, raportojnë mediat e Shkupit.

Emigrantët e shfrytëzojnë Maqedoninë si vend tranzit, për të kaluar në Serbi e më pas në shtetet e Evropës perëndimore.

Megjithatë, bëhet e ditur se edhe në Maqedoni tanimë janë dorëzuar kërkesat e para për azil. Një ditë më parë 17 shtetas të Sirisë, prej të cilëve 6 burra, 7 gra dhe 4 fëmijë kërkuan azil në vend.

Bashkë me fluksin e refugjatëve shtohen edhe problemet dhe fatkeqësitë e tyre në Maqedoni, ku vetëm këtë vit kanë humbur jetën rreth 30 shtetas nga Siria dhe Afganistani.

Aktivistët e shoqërisë civile raportojnë për shumë emigrantë të sëmurë dhe të plaçkitur, sidomos në zonën kufitare me Greqinë. Ndërkohë, nga policia maqedonase paralajmërojnë se në ditët në vijim pritet një valë e re emigrantësh.