Kosova

“Vali Ranch”, dasmat “Made in Switzerland” në Kosovë

“Vali Ranch” është një pikë me ofertë të kompletuar të turizmit dhe relaksimit, me standard “Made in Switzerland”. Ajo është një ndër pikat më të preferuara që shqiptarët e Zvicrës e zgjedhin për të bërë dasmat e tyre

Shpesh ndodh të tregojmë përralla për tu magjepsur, por magjepsja që po krijon “Vali Ranch” me organizimin e ahengjeve familjare, shumica të mërgimtarëve, nuk mund të krahasohet me asnjë përrallë.

Sipërfaqja e lëndinës së hapur, të rrethuar nga pemët, uji, kodrinat përrreth, e bëjnë edhe më të veçantë ngjitjen e çifteve të reja në altar. “Vend që i përshtatet secilit”, e përkufizon me modesti Fehmi Fetahu, pronari i kompleksit turistik në Gjilan “Vali Ranch”.

“Vali Ranch” është një pikë me ofertë të kompletuar të turizmit dhe relaksimit në të cilën ka vulën kualiteti zviceran “Made in Switzerland”.

“Jo pse unë vi nga Zvicra por diaspora joshet në atë vend sepse është vendi i tyre dhe se ka sistem zviceran. Kjo shihet vetëm nga pastërtia që nuk e ke askund tjetër”, shprehet Fetahu duke evokuar kujtimet e dasmë së parë të realizuar në këtë kompleks turistik. Megjithëse nuk isha i pranishëm aty, por e mbaj mend si sot. Ishte një cift nga Ferizaji që ishte me fat të niste ciklin e pandalshëm të dasmave deri sot në “Vali Ranch”. Është kënaqësi të ndash gëzimin me familjet shqiptare nga e tërë bota: Zvicra, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja etj.”,  thotë afaristi Fetahu.

Ai, këto ditë nga Oda Ekonomike e Kosovës është nderuar për kontributin e dhënë në Kosovë, me ç`rast,  investimi në “Vali Ranch” mund të konsiderohet kontributi më i madh, pasi që aty janë të punësuar rreth 150 punëtorë, pra 150 familje përfitojnë nga ky investim.

70% të atyre që bëjnë dasmat në “Vali Ranch”, vijnë nga Zvicra

Organizimi i ahengjeve familjare në “Vali Ranch” ka filluar zyrtarisht në vitin 2015. “99 për qind e të rinjve vijnë dhe e kalojnë këtu ditën më të lumtur të jetës së tyre ndërsa 70 për qind prej tyre janë nga Zvicra, pastaj vijnë vendet tjera”, flet me statistika pronari I kompleksit turistik.

Ceremonitë  e dasmave organizohen edhe në ambient të hapur por e tëra varet nga moti, të cilin nuk mund t’ua garantojnë as në Vali Ranch.

Fetahu e pranon se çmimet mund të jenë më të larta në “Vali Ranch” në krahasim me vendet tjera por, sipas tij, ato janë në përputhje me standardin e lartë që ofrohet gjatë organizimit. “Ambienti dhe shërbimet që ofrohen, janë të një cilësisë të lartë, pastaj gjithçka përgatitet në “Vali Ranch” përveç tortës, dhe kjo shihet nga rezervimet që vijnë vazhdimisht në kompleksin tonë”.

Rezervoni sivjet nëse do të martoheni në mot!

Nëse keni vendosur të martoheni vitin e ardhshëm, bëni mirë që për ditën tuaj më të rëndësishme, ta rezervoni në “Vali Ranch” që nga tani. Dhe kjo për faktin se vendi përrallor pranë Gjilanit, për të cilin jeni përcaktuar, po nuk e rezervuat tani, nuk do të jetë më i lirë, për shkak të termineve, që sipas pronarit, janë të rezervuara edhe për vitin 2019.

“Mund të ndodh që edhe të anulohen për arsye të ndryshme: ndarja e çiftit, rast vdekjeje etj. Ndodhin nga dy anulime në vit që shpesh ndahen çiftet para se të ngjiten në altar, që mua më vjen keq. Paradhënia që jepet për dasmë, 10 deri 20 për qind, mund të mos i kthehet familjes që ka rezervuar dasmën por nëse e njëjta datë ishte zëvendësuar nga një familje tjetër atëherë i kthehet atij që i ka dështuar dasma”, thotë të jenë transparent Fehmi Fetahu dhe pranon se gjatë verës më shumë gjenerojnë të ardhura nga dasmat, pa anashkaluar pjesën tjetër të kompleksit që, sipas tij, verës gjithkund lulëzon.

Së shpejti, nuset në “Vali Ranch”, sërish do të merren edhe me helikopter!

Dasmat në Anamoravë mbahen zakonisht me 400 deri 450 mysafirë, në raste të rralla deri më 500 mysafirë.  “Sallat e Vali Ranch kanë kapacitete nga 500 deri 600 ulëse. Ahengjet familjare organizohen te ne nga e tërë Kosova dhe Maqedonia. Vijnë nga Drenica, Dukagjini, Kumanova e Shkupi dhe Presheva e Bujanoci.”, tregon Fetahu dhe thotë se shpesh përballen edhe me kërkesa të veçanta.

“Po na kërkojnë helikopterin, që ne në Vali Ranch për dy vite e kemi ofruar si shërbim për të sapomartuarit. Por tani nuk e ofrojmë këtë shërbim ngase duhet të kërkohet leje për fluturim nga KFOR-i 72 orë më herët. Ne po presim një përgjigje nga KFOR-i që helikopteri mund të fluturojë në çfarëdo kohe pa pasur nevojë për kërkesë të veçantë. Helikopterin e posedon “Vali Ranch”.

Si do që të jetë, nga fillimi I korrikut “Vali Ranch” është përplot me ahengje familjare të njerëzve nga diaspora. Nuk ka këngëtar të estradës që nuk ka perfomuar në dasmat e organizuara në kodrat e Gjilanit.

“Përveç dasmave, pamjet magjepse në këtë kompleks turistik në Gjilan sjellin për çdo vit 500 deri 600 çifte të sapomartuarve që vijnë të realizojnë vetëm fotografi”.

“Diaspora është qeveri më vete”

“Çmimi i menysë në një aheng familjar varet nga kërkesat e organizatorit. Kemi kërkesa që në meny të ketë dhe kavijar”, shprehet Fetahu, dhe arsyeton luksin e mërgimtarëve nëpër dasmat që i organizojnë në Kosovë. “Një apartament i ri në Gjilan, një dasme në vendlindje, një shtëpi e ndërtuar, krejt këto vetëm e zhvillojnë ekonomikisht vendin. Jo vetëm kaq, ardhja për t’u martuar në vendin e prindërve të tyre, ku e bëjnë bashk të gjithë farefisin vetëm sa i afron me njëri tjetrin. Nuk mund ta paramendoni vetëm një vit mos të vijë diaspora në Kosovë. Diaspora është qeveri më vete”, përfundon bisedën me albinfo.ch pronari i kompleksi turistik që gjendet e reliefet e bukura të Anamoravës.

“Vali Ranch” u siguron bukën 150 familjeve

Pronari i “Vali Ranch”, Fehmi Fetahi këto ditë nga Oda Ekonomike e Kosovës është nderuar për kontributin e dhënë në Kosovë, me ç`rast,  investimi në “Vali Ranch” mund të konsiderohet kontributi më i madh, pasi që aty janë të punësuar rreth 150 punëtorë, pra 150 familje përfitojnë nga ky investim.

Foto Norik Uka