Maqedonia

Vazhdojnë mospajtimet në Lëvizjen Besa, Kasami hyn me forcë në seli

Kanë vazhduar mospajtimet dhe përplasjet në Lëvizjen Besa pasi një ditë më parë kryesia e kësaj partie vendosi ta shkarkonte kryetarin Bilall Kasami. Por, anëtarët e degës së kësaj partie në Tetovë i janë kundërpërgjigjur vendimit të Lëvizjes Besa në Shkup për ta shkarkuar Bilall Kasamin nga kreu i partisë, përcjell albinfo.ch.

Nga dega e Besës në Tetovë thonë se mbledhja që u mbajt në Shkup është në kundërshtim me statutin e partisë, pasi i njëjti parasheh që mbledhjet të thirren nga kryetari i partisë.

Anëtarët e Besës në Tetovë nënshkruan deklaratë të përbashkët ku kërkojnë që Lëvizja Besa të vazhdojë me misionin e saj politik dhe me respektimin e vlerave. Ndërkohë, sot në mëngjes një grup personash ne mesin e te cilëve edhe Bilall Kasami, kane hyrë me forcë në selinë e Lëvizjes Besa në Shkup. Sigurimi i objektit ka thënë se nuk ka mundur t’i ndalojë dot të mos futen brenda objektit te selisë për shkak të numrit të madh të personave që kanë qenë. Por, sigurimi kishte lajmëruar policinë e cila ka kryer kontrolle brenda selisë.