Kultura

Vdes Johanna Neumann, e mbijetuara e holokaustit falë shqiptarëve

"Shqiptarët kanë shpëtuar moralin e botës. E dini, në shumë vende të botës ka pasur individë që kanë shpëtuar hebrenj. Por, dallimi në rastin e Shqipërisë është se edhe qeveria shqiptare e atëhershme ka punuar bashkë me popullatën për të shpëtuar hebrenjtë nga nazistët"

Katër ditë më parë ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare Johanna Neumann, gruaja e cila ka shpëtuar nga holokausti, falë mbrojtjes, strehimit dhe mikpritjes që ka përjetuar nga shqiptarët. Ajo njihet edhe për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në njohjen e kontributit të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zonja Neumann ishte e rrethuar nga i shoqi, David, fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj. Siç thuhet në një komunikatë të Muzeut të Holokaustit në Uashington, ku punonte zonja Neumann, jeta e saj e jashtëzakonshme ishte një testament në vete mbi fitoren e të mirës mbi të keqen dhe i asaj se ajo ka prekur me mijëra njerëz duke rrëfyer historinë e jetës së saj ka inspiruar të tjerët për një të ardhme më të mirë, shkruan ocnal.com

Johanna ka shkuar në Shqipëri me familjen e saj në vitin 1939 ku ka mbijetuar holokaustin nazist duke u strehuar  nga disa familje, në mesin e të cilave edhe nga familja Pilku.

“Familja Pilku ka qenë plotësisht e ekspozuar për hir tonin. Gjermanët mund të zbulonin se ne ishim hebrenj dhe ata mund të vuanin nga kjo, transmeton albinfo.ch. Nuk mund të gjenden fjalë për të vlerësuar këta njerëz që shpëtuan hebrenjtë me çdo kusht, përfshirë këtu edhe disa njerëz nga e ashtuquajtura “qeveri kukull”, si Mustafa Kruja i cili ka qenë në dije për këtë situatë. E gjithë kjo është përcaktuar nga Kanuni dhe Besa. Njerëzit kanë dhënë fjalën dhe fjala e dhënë nuk kthehet përmbys. Ata i thonë vetes: “Nëse unë të them ty se do të të mbroj dhe pastaj nuk e bëj këtë, unë do të turpërohem para vetes, para familjes dhe para gjithë fshatit”, pati thënë ajo në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në vitin 2012. Në një ceremoni në Uashington në të cilën kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Sali Berisha  e pati nderuar atë, ajo kishte shprehur mirënjohjen e saj për Shqipërinë.

“Sa më shumë që kam mësuar dhe lexuar mbi krimet që kanë ndodhur, aq më shumë ndjej detyrim t`i vendos shqiptarët në piedestal sepse ajo që kanë bërë ata, ka qenë e jashtëzakonshme. Ata jetonin me një moral të lartë. Ata i kanë treguar botës se kur njerëzit janë në nevojë, ata duhet ndihmuar. Është me rëndësi çfarë bën çdonjëri. Secili individ që ka kurajë të bëjë diçka për të ndihmuar qenie tjera njerëzore, jep një kontribut të madh”.

Në vitin 2014 Neumann ishte dekoruar nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Johanna Neumann është lindur në një familje tregtare në Hamburg, më 2 dhjetor 1930. Familja e saj kishte provuar disa herë të merrte viza për të shkuar në SHBA, por kishte dështuar. Pastaj ata shkuan në Shqipëri në vitin 1939 ku qëndruan gjithë kohën deri sa u çliruan nga aleatët në vitin 1945. Më tutje ata shkuan në Itali prej nga në vitin 1946 Johanna shkoi në SHBA me të ëmën. Në vitin 1947 atyre u bashkohet edhe babai. Zonja Neumann ka jetuar në Silver Spring, në afërsi të Uashingtonit.

Johanna Neumann: “Shqiptarët kanë shpëtuar moralin e botës”

Me rastin e organizimit të serisë së ekspozitave në Zvicër mbi Besën dhe shpëtimin e  hebrenjve në Shqipëri , albinfo.ch pati realizuar një  bisedë me zonjën Neumann. Ajo kishte shkëputur kujtime nga jeta e saj në Shqipëri gjatë viteve të luftës, duke u shprehur me mirënjohje të pafund për atë që kanë bërë shqiptarët asokohe.

“Po, shqiptarët kanë shpëtuar moralin e botës, e them sërish”, ka përsëritur Neumann atë që kishte thënë nga tribuna para publikut. “E dini, në shumë vende të botës ka pasur individë që kanë shpëtuar hebrenj, kjo mund të shihet në listat që mban Muzeu i Holokaustit “Yad Vashem”. Por, dallimi në rastin e Shqipërisë është se edhe qeveria shqiptare e atëhershme ka punuar bashkë me popullatën për të shpëtuar hebrenjtë nga nazistët. Kështu, personat dhe familjet nuk është dashur të kishin frikë nga qeveria, pasi që ajo nuk i denonconte te nazistët”, ka thënë ajo për albinfo.ch. Në këtë vazhdë Neumann tregon raste e raste të panumërta kur zyrtarët shqiptarë, përmes improvizimeve të ndryshme kishin bërë fshehjen dhe shpëtimin e refugjatëve hebrenj.

“Duhet ditur se Shqipëria në atë kohë ka pasur rreth një milion banorë, një vend i vogël. Por, lista e shqiptarëve të nderuar nga “Yad Vashem” përmban 69 emra! Kështu, nëse krahasohet me popullatën e vendeve tjera shumë më të mëdha, Shqipëria është në krye”, thotë për albinfo.ch, zonja Neumann me bindje.

Ajo ka qëndruar me prindërit në Shqipëri nga marsi i vitit 1939 deri në shtatorin e vitit 1945, kur bashkë me familjen ka emigruar në Itali e pastaj në SHBA.

“Nga viti 1945 deri në fillim të viteve 90, sa zgjati diktatura, nuk kishim asnjë kontakt me shqiptarët. Por në këtë kohë, një mike imja, Erika Toptani nga familja e njohur tiranase Toptani kishte shkuar në Izrael ku kishte marrë mirënjohjen në emër të prindërve të të shoqit, të cilët në fshatin e  tyre ishin shpëtuar 17 hebrenj. Pas kthimit të saj në SHBA dhe pasi që në Shqipëri kishte rënë komunizmi, rifilluan kontaktet tona me Shqipërinë”, evokon ajo.

Një libër për shqiptarët, “kushtuar fëmijëve të mi”

Neumann ka shkruar që në vitin 1983 një libër me rrëfimin e saj shqiptar. “Atë e kam shkruar për djalin tim, për fëmijët e mi dhe e kam shtypur privatisht me një tirazh të kufizuar, disa herë nga 100 kopje. Ia kam kushtuar fëmijëve të mi që ta dinë historinë e shpëtimit tonë në Shqipëri. Tash dikush po përpiqet ta publikojë, ndoshta edhe në gjuhën shqipe dhe atë gjermane”, thotë me gëzim, znj. Neumann.