Kosova

Vdes në një aksident trafiku basketbollisti Gazmend Sinani

Në këtë aksident, kanë pësuar lëndime edhe basketbollistët, Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina si dhe fizioterapeuti i përfaqësueses kosovare, Kujtim Shala

Lojtari i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Gazmend Sinani ka vdekur në një aksident që ka ndodhur në Gjakovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Basketbollit të Kosovës e cila po ashtu ka njoftuar se në këtë aksident, kanë pësuar lëndime edhe basketbollistët, Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina si dhe fizioterapeuti i përfaqësueses kosovare, Kujtim Shala.

Ndërsa ngushëllime familjes së të ndjerit i kanë shprehur liderët institucional të Kosovës.  “Me pikëllim mora lajmin për vdekjen tragjike të basketbollistit, Gazmend Sinani, anëtar i përfaqësueses së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas vdekjes tragjike të basketbollistit të Kosovës, Gazmend Sinani, u ka shprehur ngushëllime familjes Sinani, miqve dhe FBK-së, kurse të lënduarve Granitit, Fisnikut, Altinit dhe Kujtimit u dëshiroj shërim të shpejtë.

Familjen Sinani e ka ngushëlluar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e përfaqësues të tjerë  të partive politike.