Kosova

Vendet që duhet vizituar: Shqipëria dhe Kosova

Kësaj radhe është faqja e specializuar për udhëtimet, “Travellingtoptens”, që ka renditur Shqipërinë në vendin e parë që ‘duhet vizituar’ në vitin 2018, derisa Kosovën në vendin e katërt

Mediat e huaja ndërkombëtare vazhdojnë të shkruajnë për bukuritë e Shqipërisë, por edhe të Kosovës.

Kësaj radhe është faqja e specializuar për udhëtimet, “Travellingtoptens”, që ka renditur Shqipërinë në vendin e parë që ‘duhet vizituar’ në vitin 2018, derisa Kosovën në vendin e katërt, përcjell albinfo.ch.

“Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana mund të vizitohet nga Prizreni dhe Prishtina me autobus. Itinerari i autobusit përshkon disa prej peizazheve më të bukura malore në Evropë. Edhe pse mediat perëndimore e kanë përshkruar me emër jo të mirë Shqipërinë, ata që zgjedhin ta vizitojnë do të gjejnë një vend vërtet të mrekullueshëm”, shkruan “Travelingtoptens” për Shqipërinë.

Më tutje përshkruhet bukuria e Vlorës, që ka peizazh të mrekullueshëm dhe një bregdet shumë të mirë.

Gjithashtu shkruhet edhe për vendet historike si Kalaja e Rozafës apo Apolonia, rrënojat e një qyteti të lashtë grek.

Turizmi në Kosovë po rritet nga dita në ditë dhe nuk është befasi. Edhe pse një shtet i vogël, ka shumë vende të bukura dhe vende historike. Prishtina është një qytet shumë i gjallë, ku lulëzon jeta e natës, dhe ka pak probleme me alkoolin, për dallim nga qytete të mëdha evropiane, transmeton albinfo.ch.

Prizreni gjithashtu është një qytet historik, ashtu si edhe Gjakova, ku gjithashtu ka pak probleme me alkoolin.

Në vendin e dytë të kësaj renditje është Kyrgistani, kurse në atë të tretë Kuba. Në top 10 ndodhen edhe Gjeorgjia, Tajvani, Gana, Uruguai, Moldavia dhe Kazakistani.