Kultura

Veprat e Van Gogh-ut thyen barrierat e ekspozimit tradicional të artit

Ekspozita ndërkombëtare “Van Gogh Alive” ka hapur dyert në Athinë, ku organizatorët kanë thënë se duan të thyejnë barrierat e perceptimit tradicional të artit, transmeton albinfo.ch.

Në dhoma të errëta e të mëdha, vizitorët rrethohen me më shumë se 3 mijë imazhe të punës së artit të piktorit holandez Vincent Van Gogh, të cilat projektohen nëpër ekrane gjigante, mure, dysheme dhe kolona të ndryshme, të shoqëruara me muzikë.

Sipas web-faqes së ekspozitës, edhe grafika multimediale, zërimi kinematografik kualitativ, si dhe afro 40 projektorë të cilësisë së lartë janë përdorur për të krijuar këtë ekspozitë. Organizatorët kanë thënë se duan të largojnë “idetë e paramenduara” kur vizitohen ekspozitat nëpër muze, ku duhet të shikosh vjedhurazi dhe në heshtje galeritë e artit, ndërsa kryeveprat gjithmonë vëzhgohen vetëm nga distanca.

Yannis Moustakas, nga kompania ekspozuese greke “Lavris Ltd.”, ka thënë se ideja është që vizitorët të rrethohen nga arti dhe të shkëmbejnë mendimet dhe ndjenjat e Van Goghut. Me një fjalë, të hyjnë në kokën e tij.