Jeta në Zvicër

Vërejtjet e OECD-së për Zvicrën

Ekonomia zvicerane ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme ndaj presioneve, por rritja ekonomike mbetet e ngadalshme dhe nivelet e të ardhurave për kokë banori ende mbesin në nivele të arritura përpara krizës ekonomike globale. Sipas raportit të OECD-së, nevojiten reforma të mëtejshme për të rikthyer rritjen e produktivitetit, për të rritur të ardhurat dhe për të siguruar që standardet e larta të jetës dhe nivelet e mirëqenies së sotme t’u kalohen brezave të ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Studimi më i fundit ekonomik i OECD-së në Zvicër tregon për një hapësirë të kufizuar për përdorimin e mëtejshëm të politikës monetare jokonvencionale për të mbështetur ekonominë zvicerane. Siç raporton Monitor, studimi parashikon rritje prej 1.7 për qind në vitin 2018 dhe 1.8 për qind në 2019. Ai paraqet një sërë opsionesh të politikave që mund të ndihmojnë Zvicrën në rritjen e produktivitetit.

Studimi tregon se rimëkëmbja më e fortë ekonomike dhe fitimet e të ardhurave të ardhshme do të varen nga vazhdimi i politikës së shëndoshë fiskale dhe tregjeve financiare të shëndetshme. Për të mbështetur rritjen, studimi sugjeron që Zvicra të shmangë nënshpenzimet e vazhdueshme buxhetore përmes koordinimit më të mirë në nivel federal dhe nënkombëtar. Reduktimi i subvencioneve bujqësore dhe ndjekja e shpenzimeve më efikase publike do të lirojnë fonde për masat për të nxitur rritjen dhe përfshirjen e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe në menaxhimin e sfidave të paraqitura nga plakja e popullsisë.