Lajme

Vetëm për duhan, kosovarët shpenzojnë 200 milionë euro në vit

Sipas Doganave të Kosovës, kosovarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit. Kurse për një person, mbi bazën e llogaritjeve, shpenzon rreth 600 euro për duhan

Brenda një viti në Kosovë hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan. Në bazë të këtyre statistikave të Doganave të Kosovës, del se kosovarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit. Kurse për një person, mbi bazën e llogaritjeve nëse ai shpenzon një pako cigare në ditë, del se shpenzimet e tij vjetore arrijnë shumën minimale prej 600 euro.

Sami Uka është zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë. Ai tha për REL se dëmtimi i ekonomisë vendore nga duhanpirja është i vazhdueshëm dhe në rritje e sipër.

“Ne si zyre e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbajmë qëndrimin se me duhanpirje dëmtohet ekonomia e vendit dhe këtë duke u mbështetur në studimet e vendeve tjera, ndonëse nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë specifik për Kosovën. Por, Kosova nuk bën përjashtim, pasi duhanpirja shkakton pasoja shëndetësore të cilat rrjedhimisht e dëmtojnë edhe ekonominë e vendit me mungesa në punë, me vdekje të parakohshme dhe dëmtimin e shëndetit të popullatës”, tha Uka.

Ndryshe, në Kosovë Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në vitin 2013, por që zbatimi i tij, ende vlerësohet se nuk është në nivelin e kënaqshëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërkaq ka paralajmëruar se më shumë se shtatë milionë njerëz në gjithë botën, vdesin çdo vit nga sëmundjet që shkaktohen nga pirja e duhanit. Një pasojë e tillë, përveç dëmeve shëndetësore dhe rrezikimit të jetëve të njerëzve, vlerësohet se shkakton dëme të mëdha edhe për ekonomitë e vendeve të ndryshme.

Faik Hoti është drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë (në Qeverinë në largim). Ai tha se vendi ka arritur që të ulë prevalencën e duhanpirjes, sidomos tek të rinjtë, derisa shton se edhe importi i duhanit ndër vite ka shënuar rënie.

“Kosova ka bërë përpjekje të vazhdueshme për uljen e prevalencës, uljen e pirjes së duhanit, ku në vitin 2013 është bërë miratimi i Ligjit për kontrollin e duhanit. Si rrjedhojë e aktiviteteve të ndryshme, masave ligjore dhe fuqizimit të tyre për kontrollin e duhanit, në vendin tonë ka pasur efekte pozitive që lidhen me uljen e pirjes së duhanit tek të rinjtë. Studimi i bërë në vitin 2016 për moshat 13 deri në 15 vjeç, ka rezultuar se nga konsumi i duhanit prej 6.7 për qind ka rënë në 4.4 për qind. Gjithashtu edhe duhanpirja pasive ka shënuar rënie nga 84 në 43 për qind”, tha Hoti.

Po ashtu, Hoti përmend edhe ngritjen e akcizës për importin e duhanit në Kosovë, që sipas tij, ka dhënë efektet e veta.

‘’Ka pasur rritje të akcizës së duhanit prej 27 euro për një kilogram cigare sa ka qenë në vitin 2012, në 41 euro në vitin 2016. Rënie e importit është vërejtur si dhe ka hapësira të lira pa tym duhani ndonëse ka edhe shkelje’’, shprehet Hoti.

Sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7,000 lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin.

Ndonëse nuk ka statistika të sakta, të dhënat që prezantojnë organet kompetente në Kosovë flasin për rreth 800 raste të reja të kancerit në vit. Numri më i madh i rasteve, i takon kancerit të mushkërive, atij të gjirit dhe lëkurës, i cili sipas ekspertëve shëndetësorë, ndërlidhet shumë me duhanin dhe duhanpirësit.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/vetem-per-duhan-kosovaret-shpenzojne-200-milione-euro-ne-vit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.