Lajme

Vetëvendosje: Ky pushtet po e “rrjepë” diasporën

Marrëveshjet e fshehta që janë krijuar nga kompanitë e biletave të udhëtimit me shtetet ku kryesisht i kemi bashkatdhetarët tanë, sipas Kadaj-Bujupit, po dëmtojnë padrejtësisht buxhetin e mërgimtarëve

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe opozitare në Kosovë, akuzuan Qeverinë e Kosovës se po abuzon me diasporën, duke i detyruar ata të paguajnë çmime të kripura të biletave. Sipas kësaj partie politik, institucionet dhe kompanitë turistike, kanë krijuar monopol për çmimet e biletave, problem që po e dëmton në vijimësi mërgatën shqiptare.

Këto shqetësime i ngriti sot në një konferencën për media deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

Ajo tha se çdo udhëtar nga mërgata kosovare paguan padrejtësisht mijëra euro për udhëtime në shtëpi dhe anasjelltas e këto çmime dhjetëfishohen në periudha të pushimeve verore dhe dimërore, kurse Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që do të duhej ta hetonte, asnjëherë nuk e ka ngritur as si shqetësim e as nuk e ka zgjidhur.

“Siç e dini çmimi i biletave për bashkatdhetarët tanë që vinë nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës është shumë më i lartë se sa udhëtimi nëpërmjet cilido aeroport në rajon. Dhe sot Aeroporti i Shkupit po zëvendëson përditë e më shumë atë të Prishtinës. Në shifra janë 600 mijë udhëtarë të cilët kane braktisur Prishtinën për Shkupin”.

“Mërgata jonë, pra mbi 800 mijë qytetarë ose 30 për qind e popullatës se Kosovës, me punën e tyre përgjatë dekadave shpëtoi Kosovën në të gjitha kuptimet. Sot, në vend se t’i krijohen lehtësira për udhëtim, investim, pjesëmarrje në institucione, në fakt ky pushtet e rrjep fillimisht me çmime astronomike të biletave e ata që vijnë me automjete dihet si kalojnë në mungese të kartonit të gjelbër”, theksoi deputetja Kadaj-Bujupi.

Marrëveshjet e fshehta që janë krijuar nga kompanitë e biletave të udhëtimit me shtetet ku kryesisht i kemi bashkatdhetarët tanë, sipas Kadaj-Bujupit, po dëmtojnë padrejtësisht buxhetin e tyre.

“Nga këto lloj marrëveshjesh ndërmjet operatorëve ekonomikë, kompanitë të tilla po përfitojnë në kundërshtim me ligjin dhe bashkë me to edhe pushtetarët që i mbrojnë tash e dy dekada”, deklaroi ajo.

Kadaj-Bujupi shtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës  e ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës në tetor të vitit 2010 dhe që nga ajo kohë ky autoritet herë funksional e më shumë jofunksional, ka qenë i pavullnetshëm për t’i luftuar monopolet apo më mirë të themi kartelet e kompanive të ndryshme në vend.

Për këtë, ajo tha se ka dyshime të bazuara për abuzim me pozitën dominuese të disa ndërmarrjeve apo kompanive e që ky autoritet nuk i lufton në mënyrë të drejtë e me vullnet. Teksa bordi i këtij institucioni është zaptuar nga njerëz të kontrolluar nga grupet dhe klanet e pushtetit.

“Kësisoj, Institucioni i Autoritetit të Konkurrencës për kohë të gjatë, për arsye që LDK dhe PDK nuk arrinin të dërgonin njerëzit e dëgjueshëm në këtë bord mbeti jo funksional deri në vitin 2015. Por, edhe pas kompletimit të këtij bordi, ky i fundit i ngulfat inspektorët hetimorë për të hetuar monopolet e shumta në shtetin e Kosovës. Një autoritet i tillë kur  nuk është funksional e dëmton rëndë konkurrencën e lirë në treg sepse tregu si i tillë nuk mund të vetërregullohet”, tha më tutje deputetja.

Kadaj-Bujupi theksoi po ashtu se Autoriteti i Konkurrencës është i fuqishëm ligjërisht për parandalimin e monopolit në treg dhe këtë mund ta bëjë por vetëm me njerëz të aftë profesionalisht dhe të guximshëm, kurse për udhëheqësit e tij ajo tha se janë zhvatës dhe partiakë.

Në fund, ajo bëri me dije se për këto shqetësime rreth emërimeve partiake ne këtë institucion palë të interesuara e kanë njoftuar Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli,  me datën 27 prill 2016, me ç’rast prezantoi edhe shkresën zyrtare përmes të cilës ishte njoftuar.  Kadaj-Bujupi njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje do të vijojë ta trajtojë këtë çështje deri sa të adresohet plotësisht çmimi i biletave të fluturimit dhe përgjegjësit për këto parregullsi të dalin para drejtësisë.