Shqipëria

Veturat më të vjetra se të vitit 2009 do të ndalohen në Shqipëri

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi është shprehur se veturat më të vjetra se dhjetë vite nga data e prodhimit nuk do lejohen të hyjnë në Shqipëri.

I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në “News24”, ministri deklaroi se ndalimi i importit për veturat që janë të prodhuara para vitit 2009 bëhet për të ulur nivelin e ndotjes që shkaktojnë këto mjete.

“Do ndalojmë importimin e makinave që janë më të vjetra se 10 vite nga data e prodhimit. Makinat e prodhuara para vitit 2009 nuk do lejohen të hyjnë në Shqipëri. Kjo bëhet për pastrimin e ajrit dhe reduktimin e ajrit të ndotur. Një makinë e vjetër harxhon 4 herë më shumë se një makinë e re dhe kjo nuk është në favor të qytetarëve, përveç faktit që ndotin dhe ambientin”, theksoi ministri Klosi, përcjell albinfo.ch.