Shqipëria

I vihet mjet shpërthyes veturës së inspektores së arsimit në Shkodër

Vetura e inspektores së arsimit në Shkodër, Frida Kopliku, është djegur në orët e para të mëngjesit, pasi dyshohet se asaj iu vu lëndë plasëse, por motivet nuk dihen.

Vetura ishte i parkuar pranë pallatit ku banonte 60-vjeçarja, në qendër të qytetit, por fatmirësish përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur viktima në njerëz, përcjell albinfo.ch.

Zjarrfikësit kanë arritur të shuanin flakët brenda pak minutash, ndërsa policia ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të identifikuar autorët e mundshëm.

“Si pasojë e shpërthimit kishte marrë flakë mjeti tip Volkswagen në pronësi të shtetases F. K., 60 vjeçe, banuese në lagjen “Vojo Kushi”, me detyrë inspektore në Drejtorinë Arsimore Rajonale në Shkodër. Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur fikjen e zjarrit. Nga veprimet  e para të kryera në vendngjarje dyshohet se ka pasur një shpërthim të lehtë poshtë mjetit, i cili ka qenë i parkuar dhe për pasojë mjeti ka marrë flakë”, sqaron policia shqiptare.